Që të mos krijohen dilema dhe konfuzion te lexuesit, lidhur me tekstet dhe deklaratat e botuara për “Fjalorin e madh të gjuhës shqipe”, jam i obliguar të sqaroj:
E para, ashtu sikundër e kam thënë tashmë, më 5 mars 2021 në rendin e ditës të mbledhjes së Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK) ka qenë, citoj sipas procesverbalit: “Caktimi i përfaqësuesve të Seksionit për pjesëmarrje në grupet e përbashkëta ASHAK-ASHSH për hartimin e platformave: Enciklopedia shqiptare, Fjalori i madh i gjuhës shqipe dhe Kuvendi i studimeve albanologjike.” Pra, sikundër është thënë qartë në procesverbal, në mbledhje u propozuan dhe u caktuan “R. Ismajli, B. Rugova dhe Sh. Munishi përfaqësues të Seksionit në grupin për hartimin e platformës për Fjalorin e madh të gjuhës shqipe”. Këta tre gjuhëtarë nuk u caktuan për të dhënë “mendimin e vet” për mundësinë e angazhimit të ASHAK-ut në këtë projekt, siç e thonë ata në letrën e tyre të shkruar disa ditë më vonë, por për t’u përfshirë në grupin e punës për hartimin e platformës. Po në atë mbledhje, Sabri Hamiti u caktua si përfaqësues i Seksionit në grupin e punës për hartimin e platformës për Enciklopedinë shqiptare, ndërsa Eqrem Basha, Ali Aliu dhe Kujtim Shala u caktuan në grupin e punës për hartimin e platformës për Kuvendin e studimeve albanologjike. Kuvendi i studimeve albanologjike u mbajt me sukses, ku paraqiten referate edhe akademikët studiuesit nga Kosova, ndërsa Enciklopedia shqiptare është projekt në proces.
E dyta, mbase nuk është e nevojshme të spekulohet shumë se çka nënkupton “përfshirja në grupin e punës për hartimin e platformës”, që domethënë se puna ishte në fillim të fillimit. Në të vërtetë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë (ASHSH), si propozues i projekteve, kishte bërë tri propozim-platforma, të cilat, nuk do shumë mend, do të ndryshoheshin dhe korrigjoheshin me propozimet e palës bashkëpjesëmarrëse, pra të ASHAK-ut. Së këndejmi, argumentet kryesore të letrës refuzuese, e cila u shkrua disa ditë pas propozimit nga tre gjuhëtarët e ASHAK-ut, fare lehtë mund të shkonin si propozim-platformë e Seksionit të Gjuhësisë dhe Letërsisë të ASHAK-ut, natyrisht, nëse Seksioni do t’i miratonte ato. Por në vend të bashkëpunimit, tre gjuhëtarët zgjodhën refuzimin dhe kundërshtimin, duke paragjykuar (e them përsëri: duke paragjykuar!) krejt procesin e punës rreth fjalorit që në zanafillë.
E treta, është paragjykim të thuhet se: “Nga parashtresat e ndryshme brenda këtij teksti mund të shihet se synohet që mbi bazë të fjalorëve të hartuar më parë tani të hartohet një ‘Fjalor i madh i gjuhës shqipe’ me diku thuhet 100.000 fjalë, diku 90.000 fjalë. Synimi kryesor është të ndiqet përvoja e deritashme në hartimin e fjalorëve, metodat e punës (vjelja, mënyra e selektimit të fjalëve për parashtrim, mënyra e paraqitjes dhe përshkrimit të fjalëve, parimet e normëzimit dhe të standardizimit), pra në pikë të fundit të bëhet një fjalor i ngjashëm me të mëparmit me një rritje fizike të lëndës së parashtruar”, është shkruar në letër dhe në “Kohën ditore”. Madje nuk mund të thuhet as tani, pasi është publikuar, nëse bëhet fjalë për “një fjalor i ngjashëm me të mëparmit me një rritje fizike të lëndës së parashtruar”, sepse askush ende nuk ka bërë një vlerësim të tillë, e jo më të thuhet diçka kësisoj përpara se të nis hartimi i tij, mbështetur në disa “parashtresa”.
E katërta, sa i përket “konstruktit financiar”, propozuesi, në këtë rast ASHSH, kishte paraparë për veten e tij se cila mund të ishte “barra financiare” e projektit, por për palën tjetër (ASHAK-un) as që kishte bërë fjalë. Se cila mund të ishte barra financiare e ASHAK-ut në këtë projekt, nuk ishte çështje e gjuhëtarëve të Akademisë, as e Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, por e institucionit të Akademisë dhe e instancave të saj vendimmarrëse. Dhe nga pozita e atëhershme e kryetarit të Akademisë, e them pa asnjë dilemë se për projektin e përbashkët ASHAK-ASHSH për “Fjalorin e madh të gjuhës shqipe” do të gjendej një mbështetje e sigurt financiare, siç u gjend për Enciklopedinë shqiptare.
E pesta, në letrën e tyre gjuhëtarët e ASHAK-ut përmendin “Krijimin e Kartotekës kombëtare të shqipes, pa të cilën nuk mund të fillojë puna për hartimin e veprës. Në këtë punë kërkohet ndërhyrja e shtetit.” Kjo frazë përmban njëkohësisht një mohim dhe një pamundësi, sepse ata, si gjuhëtarë që janë, duhet ta kishin në dijeni se kartoteka kombëtare e leksikut të gjuhës nuk krijohet me ndonjë “aksion”, edhe nëse e ke pas vetes një shtet goxha të pasur, kështu që, nëse e kushtëzon hartimin e Fjalorit me krijimin e kësaj kartoteke, gjasat për ta bërë një të tillë për njëzet vjetët e ardhshme do të ishin minimale. Një kartotekë të tillë nuk e ka nisur ta bëjë as Instituti Albanologjik, as Akademia, por e ka bërë Instituti i Gjuhësisë i Tiranës (së paku që nja 70 vjet e këndej), i cili ka në pronësi një kartotekë të tillë me rreth dy milionë njësi leksikore.
E gjashta, në aneksin e letrës gjuhëtarët e Akademisë ndër të tjera kanë shkruar: “Në rrethana të atilla anëtarët e seksionit vazhduan punën më tepër vullnetare me hartimin e materialeve për Projektin ‘Shqipja e shkruar në Kosovë’, të ndërtuar në atë mënyrë që të ishte i përfshishëm me lehtësi në projektin themelor të Korpusit kombëtar të gjuhës shqipe.” Po, e vërtetë, gjuhëtarët e Akademisë e kanë filluar projektin “Shqipja e shkruar në Kosovë” këtu e 21 vjet më parë dhe se nuk bëhet fjalë as për shpenzime “simbolike”, siç thonë ata, as për punë “më tepër vullnetare”, por një kosto financiare rreth 120 mijë euro, në total, shpenzime këto për një projekt që ende konsiderohet i papërfunduar!



