Edhe në kohë pandemie duhet të dilet në natyrë!

Dr. Spec. Fatmir Hasani

Këtë herë, mund të konstatojmë se pas pandemisë që shkaktoi virusi korona (COVID 19), me të madhe popullata iu përmbajtëm porosive të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe rekomandimeve të Shtabit të emergjencës dhe Qeverisë. Respektuan të gjitha masat dhe qëndruan në shtëpi. E kuptuan plotësisht mesazhin se janë përgjegjës para vetes dhe të tjerëve! Këto ishin mesazhet që i përcollën edhe mediat gjatë gjithë këtyre javëve. Pra, populli ndenji brenda, duke kontribuuar që të ketë sa më pak kontakte me njerëzit e tjerë, e kështu duke parandaluar përhapjen e infeksionit. Por tani duke vazhduar edhe më i shtrirë në shtrat, apo të qëndruarit para ekranit e kompjuterit brenda shtëpisë nuk është zgjidhja më e mirë. Të gjithë ekspertët dhe shkenca tregojnë se edhe në kohë pandemie, duhet të dilet në natyrë, që të thithin mushkëritë tona oksigjen dhe të qëndrojmë në diell. Në mënyrë të veçantë, rrezet e diellit dhe oksigjeni janë provuar shkencërisht për të forcuar imunitetin dhe veprojnë në hormonet tona. Për më tepër, kur jemi në natyrë, trupi është më i shëndoshë dhe si në aspektin mendor dhe fizik më aktiv, që përmirëson gjendjen shpirtërore. Kështu që nevoja për natyrën është e pashmangshme.
Në fund të fundit, krijesa njerëzore kaq mundet të durojë. Njeriu është i lidhur me natyrën. Prandaj, sot është edhe faktori më i fuqishëm mjedisor. Veprimi i njeriut mbi natyrën është i pashmangshëm dhe kompleks. Nuk ka vende në këtë planet, ku njeriu të mos ketë lënë gjurmë në vendbanimet e tij. Që nga fillimi i tij, njeriu e ka përdorur natyrën. Në të kaluarën, kishte më pak njerëz dhe nevojat e tyre ishin më modeste. Sot, me përparimin e civilizimit, veçanërisht pas revolucionit teknologjik, ritmi i ndryshimit po rritet. Njeriu dëshiron gjithnjë e më shumë nga natyra. Kjo tregon se njeriu duhet të dalë në natyrë. Ndonëse, nuk duhet harruar se duke krijuar botën e tij të veçantë të izoluar, të qeverisur nga një sistem vlerash, shpesh të drejtuar keq, njeriu në tokën e tij të lindjes është sjellë si i huaj… Kemi shkatërruar pyje, kemi ndotur ujin, kemi helmuar ajrin dhe tokën: Me një fjalë jemi shndërruar ndoshta pavetëdijshëm në keqbërës të biosferës. Por, pas kësaj besoj që ne do t’i kthehemi harmonisë natyrore, e cila ka nevojë për të funksionuar normalisht.
Shumë vende në botë kanë filluar t’i heqin pjesërisht masat e tyre kufizuese, duke balancuar rrezikun e infektimit dhe të rivendosin ekonomitë e tyre. Dhe, jo rastësisht tani vendet më të fuqishme të Perëndimit janë në kërkim të një normaliteti të ri. Kjo ndodhë pikërisht në kohën kur shkencëtarët po garojnë për të gjetur ilaçin e kurimit dhe vaksinat për virusin. Shtetet po eksperimentojnë me qasjen e vazhdimit të sigurt të jetës së përditshme përballë një sëmundjeje të rëndë si është COVID 19.
Edhe unë si mjek jam për të filluar me liberalizimin e masave, por duke respektuar dhe zbatuar rreptësisht masat mbrojtëse dhe ato të distancës sociale pasi të hiqen kufizimet aktuale. Për momentin, tingëllojnë dekurajuese deklaratat për afrinë tonë tradicionale të intimitetit si përqafimi dhe shtrëngimi i duarve, por duhet ta dimë se po hymë në një periudhë të re të bashkëjetesës me virusin. E kjo kërkon edhe përgjegjësi më të mëdha nga secili prej nesh.