“Edhe Albin Kurti ka shti me t’njofshëm, pse unë jo” – kamera e fshehtë në zyrën e Drejtorit (VIDEO)

Drejtori i Arsimit në Komunën e Obiliqit, Sahit Zeqiri, punësoi rejën e tij, Fitore Jusufi – Zeqiri, si sekretare të shkollës “Ibrahim Rugova”, në Obiliq.

Konkursi dyshohet se u kurdis, pasi pati vetëm tre kandidatë në testin me shkrim. Përveç rejës së drejtorit, Fitore Jusufi – Zeqiri, konkurroi edhe kunata e saj, bashkëshortja e vëllait, Fortesa Haziri – Jusufi, dhe Samire Arifi, raporton Kiks Kosova.

Kjo e fundit u eliminua nga gara qysh në fazën e parë, atë të testit në shkrim, duke bërë që gara për pozitën e sekretares të zhvillohet vetëm mes dy kunatave Jusufi.

Komisioni vlerësues zgjodhi sekretare Fitoren, rejën e drejtorit.

Kiks Kosova ka shkuar në zyrën e drejtorit Zeqiri, për të marrë versionin e tij se si arriti reja e tij të zgjidhet sekretare në konkursin e hapur nga drejtoria që ai e udhëheq.

Para kamerës Zeqiri ishte i përmbajtur, por jo edhe prapa saj.

Zeqiri tha se për 41 vjet sa është në fushën e Arsimit, ka punësuar shumë persona dhe është ballëhapur që reja e tij ka aftësi të jashtëzakonshme.

Punësimin e bashkëshortes së djalit, Zeqiri e arsyeton me faktin që sipas tij, të gjithë zyrtarët shtetërorë, duke filluar nga presidentja Osmani, kryeministri Kurti, ish-presidenti Thaçi, e ish-kryeministrat, Mustafa e Haradinaj, kanë punësuar familjarë të tyre.