Gjykata në procedurë paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale në Shkup, duke vepruar sipas propozimit të PTHP – Shkup, mori vendim për vazhdimin e paraburgimit për 48 orë të tjera për katër personat e përfshirë në procedurën për zjarrvënien në Trubarevë, informuan nga Gjykata penale Shkup.
Për shkak të dyshimit të bazuar se me veprime të përbashkëta kanë marrë pjesë në kryerjen e veprës penale – Rrezikimi i mjedisit jetësor dhe natyrës me mbeturina nga neni 230, paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal, në lidhje me zjarrin në Trubarevë, Prokuroria Themelore Publike në Shkup ngriti procedurë kundër katër personave, për të cilët nga gjyqtari në procedurë pararake të dielën më 13 shtator, kërkoi që t’u caktojë masë të shkurtë paraburgimi prej 48 orësh për sigurimin e provave.
“Veprimet e tyre konkrete janë duke u hetuar, por bëhet fjalë për menaxher 56-vjeçar dhe pronar i dy personave juridikë, menaxherja 22-vjeçare e një personi të tretë juridik, 42-vjeçar në cilësi të udhëheqësit të filialit dhe një 59-vjeçar i punësuar në personin juridik. Po hetohet përgjegjësia e mundshme e personave tjerë”, theksohet në kumtesë.
Katër personat dyshohen për veprën penale sipas nenit 230, paragrafi 3, në lidhje me paragrafin 1 të KP, gjegjësisht Rrezikimi i mjedisit jetësor dhe natyrës me mbeturina.
Prokuroria dje informoi se sot duhet të fillojë ekspertiza në vendngjarje në lidhje me shkaqet e zjarrit në Trubarevë dhe se ekipet inpsketuese në terren do të koordinohen nga prokurori publik dhe nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup.
Me urdhër të prokurorit publik, siç u informua, ekipe të SPB Shkup edhe dje kanë dalë në vendngjarje me qëllim për të ndërmarrë veprime dhe për të mbledhur prova të caktuara, të nevojshme në lidhje me procedurën për rrezikimin e mjedisit jetësor me mbeturina. “Po ndërmerren vazhdimisht disa veprime për të siguruar dhe analizuar dokumentacionin”, informoi Prokuoria.
Zjarri shpërtheu të shtunën më 13 shtator rreth orës 14 në depot për reciklimin e mbeturinave në Trubarevë.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Stojançe Angelov, dje pasdite informoi se zjarri është shuar plotësisht, ndërsa e gjithë hapësira e djegur është mbuluar me rërë dhe dhe.