“E rrahën dhe ia drejtuan revolen” – Policia jep detaje të reja për incidentin mes Feros dhe Jetmir Agajt

Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë në lidhje me një incident të raportuar dje ku ishte i përfshirë reperi “Fero”.

Ky i fundit përfundoi në pranga pasi që dyshohet se bashkë me një person tjetër kanë rrahur në studion e tij producentin, Jetmir Agaj.

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ndërkaq ka dhënë detaje shtesë në lidhje me ngjarjen.

Ata kanë bërë të ditur se viktima e këtij rasti ka kërkuar tretman mjekësor. Njëri nga të dyshuarit, ia ka drejtuar edhe armën viktimës.

“Rr. Nebih Gashi, Prishtinë 29.10.2021 – 15:20. Ankuesi mashkull  kosovar ka raportuar se,  në studion e tij është sulmuar fizikisht nga dy të dyshuar meshkuj kosovarë. Viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa njëri prej të dyshuarve i  kishte drejtuar revolen  viktimës tjetër e cila ishte jashtë studios. Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin 24-orësh.