E rëndë në Francë, çifti shqiptar gjendet i pajetë në banesën e tyre, ja për çfarë dyshohet

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Brestit në Francë, ku një çift me origjinë shqiptare është gjetur i vdekur në banesën e tyre të enjten pasdite, raportojnë mediat franceze.

Sinjalizimi i policisë u bë rreth orës 16:30, kur një banor i lagjes Europe njoftoi policinë për dëgjimin e dy të shtënave me armë në adresën 101 Rue Général-Paulet, raportojnë mediat franceze.

Menjëherë pas mbërritjes, forcat e rendit gjetën trupin e një burri 36-vjeçar dhe një gruaje 30-vjeçare, si dhe një pushkë gjahu pranë tyre.

Sipas raportimeve paraprake, hetuesit dyshojnë se gruaja është vrarë nga partneri, më pas ky i fundit ka kryer vetvrasje.

Çifti ishte prindër i dy fëmijëve. Fëmija më i madh nuk ishte kthyer ende në banesë kur ndodhi ngjarja, ndërsa fëmija tjetër ndodhej në shkollë në momentin e tragjedisë.