Një 31-vjeçare nga Kosova është gjetur e pajetë në rrethana të paqarta në një hotel në zonën e Shkëmbit të Kavajës në Durrës ditën e shtunë.
Lidhur me ngjarjen është deklaruar Policia e Durrësit, e cila përmes një njoftimi bëri të ditur se Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal ndaj shtetasve V. E., 38 vjeç, dhe A. Sh., 34 vjeç, të dy banues në Durrës, administratorë të hotelit ku ndodhi ngjarja.
“Ditën e djeshme, në ambientet e këtij hoteli është gjetur pa shenja jete shtetasja kosovare J. H., 31 vjeçe. Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar dëmtime të jashtme që mund të kenë shkaktuar vdekjen. Trupi i pajetë është dërguar për autopsi mjekoligjore, me qëllim përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.
Tutje thuhet se nga veprimet e para hetimore, Policia thotë se “dyshohet se 2 administratorët nuk kanë lëshuar kupon tatimor për dhënien me qira të ambientit, ku shtetasja qëndronte prej muajit dhjetor 2025”.
“Materialet u referuan në Prokurori për vlerësim, ndërkohë që priten rezultatet e ekzaminimeve mjekoligjore për përcaktimin e shkakut të vdekjes së 31-vjeçares”.




