E pranon drejtori i spitalit në Dibër: Bashkëshortja ime mori shpërblim, por ajo punon në spital!?

Agjencia e Lajmeve FLAKA kontaktoi drejtorin Baki Alili. Ai thotë që në krijimin e listës së personelit që fituan nga shpërblimi i Ministrisë së Shëndetësisë vendos Komisioni brenda Spitalit të Përgjithshëm Dibër, i cili përfshin shefin e Departamentit të Sëmundjeve Infektive, kryeinfermierin, juristin e Spitalit dhe ai si drejtor.
“Vendimi për shpërblim nuk jepet aq thjeshtë. Janë të përfshirë të gjithë pa përjashtime. Gruaja ime punon në Spitalin e Dibrës, pra në Laborator. Përveç kësaj, ajo është edhe juristja jonë e cila koordinon të gjitha çështjet jurudike brenda spitalin. Ekziston një listë për çmimin Covid-19, të cilën unë nuk e përpiloj, por ekziston një Komision që vendos. Me shumë përgjegjësi pohoj se të gjithë ata që u përfshinë në këtë krizë 10-mujore morën një shpërblim, pra ndihmë financiare. Nëse ata nuk do të ishin në listë në grupin e parë, ata tani janë në listë në grupin e dytë. Për shembull, në grupin e parë, gruaja ime nuk mori një shpërblim, kështu që tani është në listë dhe mori shpërblim 14,000 denarë”, shprehet drejtori Baki Alili.
Për më tepër, Alili thotë që edhe ai si drejtor nuk isha në grupin e parë të kuadrit të shpërblyer, edhe pse ndodhet prezent 24 orë në ditë brenda Spitalit.
“Ata punonjës që janë të përfshirë drejtpërdrejt në Qendrën Covid, tani ata kanë marrë një shpërblim të njëhershëm për herë të dytë. Stafi teknik, për shembull në laborator, ku është gruaja ime, mori 14,000 denarë, dhe ata në Qendrën Covid morën 30,000 denarë. Edhe ata punonjës, emrat e të cilëve ishin shkruar se nuk fituan nga shpërblimi në para nga MSH, dje reaguan dhe kërkuan sqarim. U sqaruam që janë përfshirë në dy grupe i gjithë stafi i angazhuar me rastin e pandemisë, në mënyrë që të gjithë të shpërblehen”, sqaron drejtori Alili.
Ndryshe, Baki Alili prej vitesh drejton Spitalin e Dibrës dhe njihet si mjek që u del në ndihmë në çdo kohë banorëve dibran.

Kështu nuk mendojnë disa të punësuar në spitalin e Dibrës, të cilët thonë se disa persona që përballen direkt me pandeminë nuk janë përfshirë në listë. Ata shtojnë se personat e punësuar në Qendrën Covid në Dibër, që kanë të drejtë shpërblimi prej 30 mijë denarë, ndërsa nuk janë përfshirë në listën për marrjen e pagës bonus janë: një infermiere në Qendrën Covid Xheneta Miftarovska; Ardit Lutfiu – fizioterapist që punon me pacientë në Qendrën Covid; dhe tre laborantë – Samir Fetovski, Zuhra Kosovrasti, Igor Kirovski të cilët marrin gjak çdo ditë dhe bëjnë analiza të pacientëve me Covid-19. Ata në vend të 30.000 denarë, kanë marrë pagë 14000 denarë. A do të ketë reagim dhe përgjegjësi nga ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe për shkarkimin e drejtorit që abuzoi me pozitën e tij?