E përsëritë Guardiola: Man City duhet të fitojë secilën ndeshje në Premier League për të fituar titullin

Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola ka përsëritur edhe një herë se skuadra e tij duhet të fitojë të gjitha ndeshjet e mbetura për të fituar titullin e kampionit në Premier League.

Manchester City dhe Liverpool, ashtu sikur në sezonet e fundit, edhe këtë edicion po bëjnë një garë të nxehtë për titullin e kampionit.

Dy ditë më herët Liverpool ishte skuadër lidere në tabelë, kurse nga mbrëmë Manchester City u kthye aty. Për të fituar titullin, trajneri i City e di se duhet fituar të gjitha ndeshjet e mbetura.

“Sot ndihemi sikur matematikisht do të luajmë në Champions League. Njerëzit mund të thonë se është normale, por nuk është. Duhet të shohësh skuadrat e shkëlqyera që po luftojnë për atë pozitë”, ka thënë Guardiola, transmeton lajmi.net.

“Tani, sa i përket Premier League, ne nuk jemi budallenj. Nëse lëshojmë qoftë vetëm dy pikë, Liverpool do të jenë kampionët. Nëse fitojmë të gjitha ndeshjet, kampionët jemi ne. Lojtarët e dinë. E dimë se kemi ndeshje të vështira dhe duhet të luajmë sikur sot dhe të fitojmë të gjitha ndeshjet. Nëse bëjmë këtë, festojmë. Nëse jo, urojmë Liverpoolin”, shtoi trajneri i Manchester City.

Me gjashtë ndeshje të mbetura në Premier League, Manchester City prinë ligën me një pikë më shumë sesa Liverpool.