E përbashkëta e E.Hoxhës dhe E.Ramës: Të dy i sulmojnë shqiptarët, kur Serbinë e drejtojnë shovinistët e egër

Shkruan: Besmir LUSHAJ

Enver Hoxha dhe Edi Rama kanë një të përbashkët: Të dy i sulmojnë shqiptarët nga Serbia, pikërisht në kohët kur Serbinë e drejtojnë shovinistët ma të egër.

Më 1946, Enver Hoxha, gjatë vizitës së tij në Beograd, me një fjalim të pashembullt antishqiptar në historinë e kombit, e sulmonte At Gjergj Fishtën e amshuar duke e poshtrue para shovinistëve serbë si minues të vëllazërisë jugosllavo-shqiptare.

Kur Enver Hoxha e leçiti Fishtën, shqiptarët e Kosovës dhe trojeve etnike ishin futur nën thundrën e elaboratit të dytë të Çubrilloviçit, nën masakrat dhe gjenocidin e Rankoviçit dhe Gjokoviçit.

Kosova ishte la e po lahej në gjak, kur antishqiptari me yll në ballë pështynte me jargët e Dushan Mugoshës para gjakpirësve serbë njërin prej mentorëve të shqiptarizmit, i shpallur armik i përbetuar i interesave të shovinizmit serb edhe në elaboratin e parë të Çubrilloviçit.

Me tjetër metodë, por me të njëjtën përmbajtje politike e historike, Edi Rama, në konferencë shtypi në Nish të Serbisë, krah shovinistit Aleksandër Vuçiç, do ta sulmonte tinëzisht e pabesisht kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Apostulli i Millosheviçit dhe lideri suprem i Shezhana Paunoviçit po shihte nga Edi Rama, kur ky e cilësonte Albin Kurtin si pengesën e madhe të raporteve shqiptaro-serbe në “kohët moderne”.

Refuzimi i Albin Kurtit për përfshirjen e Kosovës në projektin ogurzi serb të “Ballkanit të Hapur”, e ktheu këtë të fundit në tabelë qitjeje për establishmentin shovinist në Serbi dhe për pasuesit e bandës gjakatare të Enver Hoxhës në Tiranë.

E sotmja nuk përmban asgjë habitore. Ata që i shtruan tapetin e kuq Aleksandër Vuçiçit në Durrës dhe që nxorën Orkestrën Simfonike të Shtetit për t’i kënduar pasardhësit të Millosheviçit – nuk mund të sillen ndryshe.

Pritshmëritë që qeveria e Tiranës të shpallë non grata laraskën shoviniste të Aleksandër Vuçiçit janë utopike.

Shezana Paunoviç nuk foli në emër të saj, por në emër të mentorëve.

Foli në frymën e etërve të saj dhe të etërve të Edi Ramës, të cilët së bashku, në një ditë në motin 1945, futën në dhe 1600 shpirtra djemsh e burrash nënash shqiptarë në Tivar.