E mbikualifikuar për punë: Mësuesja me master refuzohet, përparësi merr kandidatja me mesatare më të lartë

Imagjinoni: përfundoni studimet bachelor, më pas vazhdoni dhe përfundoni me sukses studimet master. Investoni kohë, mund dhe para, me qëllim që të jeni më konkurrues në tregun e punës.

Por, kur vjen momenti i punësimit – ju thonë se jeni të mbikualifikuar.

Ky është rasti i një mësueseje nga rajoni i Pollogut, e njohur si për publikun ashtu edhe për institucionet. Ajo aplikoi në konkurs për mësuese të matematikës në shkollën fillore “Eqrem Çabej” në komunën e Tearcës – një shkollë ku më herët kishte punuar me kontratë në vepër.

Megjithatë, ajo nuk u përzgjodh. Arsyeja? Kundërkandidatja kishte mesatare më të lartë gjatë studimeve bachelor.

“Arsyet pse nuk jam pranuar në këtë konkurs, sipas meje, janë politike. Fillimisht ishin politike, ndërsa më pas shkova vetë te drejtori, pasi ai nuk më ftoi. Ai më shpjegoi se arsyeja pse është pranuar kandidatja tjetër është se mesatarja e saj nga cikli i parë është më e lartë se e imja dhe mbi këtë bazë është anashkaluar edhe diploma ime e masterit”, thotë mësuesja.

Ajo shton se kanë paraqitur ankesë, por nuk kanë besim në institucionet:

“Ne kemi dorëzuar ankesë, por dyshojmë se inspektorati nuk po vepron në shkollë. Mendojmë se po përpiqen ta fshehin rastin. Inspektorati po e mban të fshehtë ankesën tonë. Besojmë se këtë e bëjnë për të fituar kohë.”

Kur kontaktuam inspektorin e arsimit, Ylber Zenki, i cili duhet të veprojë për këtë rast, ai – duke iu referuar Ligjit për arsimtarë – konfirmoi qëndrimin e drejtorit.

Por çfarë parashikon saktësisht ligji?

Sipas dispozitave ligjore, përparësi në punësim duhet të kenë kandidatët me nivel më të lartë të arsimit përkatës. Kjo do të thotë se studimet master duhet të jenë avantazh, e jo pengesë në përzgjedhje.

Në praktikë, megjithatë, shtrohet pyetja – a respektohen gjithmonë këto kritere?

Dhe kur punësimet partiake marrin përparësi ndaj dijes dhe mundit të investuar, ndodh pikërisht ajo që shumë të rinj në vend e ndiejnë – zhgënjim dhe humbje besimi në sistem.

“Na është thënë se do të krijojmë probleme dhe se pas kësaj nuk do të mund të punësohem askund tjetër. Një nga opsionet tona është të largohemi nga këtu, sepse po ndodhin shumë padrejtësi. Unë kam investuar vite në arsimim, fillimisht në ciklin e parë me shumë mund… matematika nuk është lëndë e lehtë. Më pas vendosa të përfundoj edhe masterin për zhvillim personal, por kjo tek ne nuk vlerësohet. Besoj se një ditë drejtësia do të dalë në pah, por humbja e kohës më lodh emocionalisht”, shton ajo.

Ne u përpoqëm të kontaktojmë edhe drejtorin e shkollës, por ai nuk ishte i qasshëm për koment.

Mbetet të shihet nëse inspektorati, i cili pritet të vendosë më 4 maj, do të marrë vendimin e duhur.