E konfirmon komandanti amerikan i Forcës Ndërkombëtare për Gazën: Kosova e Shqipëria janë zotuar për trupa

Pesë shtete, në mesin e tyre Kosova e Shqipëria, janë zotuar se do të angazhojnë trupa për një forcë ndërkombëtare të sigurisë për Gazën, tha të enjten në Uashington komandanti i kësaj force gjatë një takimi të Bordit të Paqes.

“Jam jashtëzakonisht i kënaqur që të njoftoj sot se pesë shtetet e para janë zotuar për trupa që të shërbejnë në ISF (Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit” – Indonezia, Maroku, Kazakistani, Kosova dhe Shqipëria. Dy shtete janë zotuar për ta trajnuar policinë – Egjipti dhe Jordania” – tha komandanti amerikan i ISF-së, Gjeneral Major Jasper Jeffers, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Jeffers gjithashtu tha se ISF-ja do ta fillojë punën duke u dislokuar në qytetin jugor të Gazës, Rafah, të trajnojë policë atje dhe “të zgjerohet sektor pas sektori”.

Sipas gjeneral-majorit amerikan, plani afatgjatë është që forca të zgjerohet në 20 mijë trupa dhe të trajnojë 12 mijë policë.

Një ditë më parë, gazeta “Nacionale” publikoi një artikull të përkthyer të mediumit izraelit, “i24neës”, i cili raportoi se Izraeli e kishte konfirmuar pjesëmarrjen e Kosovës në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën.

Forca shumëkombëshe pritet të bëhet operacionale në maj të këtij viti, raporton mediumi izraelit.

Ky raport erdhi pasi Kosova u bë pjesë e nismës së presidentit amerikan, Donald Trump, që njihet si Bordi i Paqes, në të cilin, megjithatë, nuk janë anëtarësuar fuqitë evropiane.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të enjten morën pjesë në takimin inaugurues të Bordit të Paqes në Uashington, ku patën rastin që të shkëmbenin edhe disa fjalë me presidentin amerikan, Donald Trump. Nuk dihet se për çfarë biseduan krerët e tri vendeve.

Sidoqoftë, në fjalën e tij në këtë takim, kryeministri Rama i bëri thirrje presidentit amerikan që “të bëjmë diçka” për lirimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po mbahet në Hagë./Nacionale