E jashtëzakonshme, 16-vjeçari nga Kosova debuton te Bayerni

Listës së gjatë të futbollistëve me rrënjë nga Kosova që kanë depërtuar deri në ekipin e parë të Bayern Munichut, i është shtuar edhe Erblin Osmani.

Osmani debutoi të shtunën me ekipin e të rriturve te klubi i madh gjerman.

16-vjeçari e zëvendësoi Leon Goretzkan në mesfushë në minutën e 87-të, në fitoren e thellë 4:0 të Bayern Munichut ndaj Union Berlinit.

Ndeshja i takoi xhiros së 27-të të Bundesligës gjermane.

Me ekipin e parë të Bayern Munichut më herët kanë luajtur edhe Xherdan Shaqiri, Ylli Sallahi, Arijon Ibrahimoviqi, Leon Dajaku e Meritan Shabani.

Tani kësaj liste iu shtua edhe Osmani që luan në pozitën e mesfushorit defensiv.

Osmani është pjesë e Gjermanisë U16, ndërsa te Bayerni është prej vitit 2017. Bayernit iu bashkua nga të rinjtë e Milbertsh Youth.

Ai ka luajtur në këtë edicion me U17 të Bayernit, ku është edhe kapiten. Ka paraqitje edhe me grupmoshën U19.

Në 15 ndeshjet e zhvilluara në të gjitha garat, Osmani ka realizuar tri gola dhe i ka pesë asistime.

Bayern Munichu në ndeshjen e së shtunës nuk pati telashe. Dy herë shënoi në pjesën e parë, me realizator Michael Olisen në minutën e 43-të dhe Serge Gnabryn në minutën e parë shtesë të pjesës së parë.

Harry Kane shënoi katër minuta pas pushimit, ndërsa Gnabry me tjetër gol në minutën e 67-të, e vendosi rezultatin përfundimtar të ndeshjes.

Bayern Munichu në pozitën e parë prin bindshëm me 70 pikë, ndërsa Union Berlini në mesin e tabelës i ka 31 pikë.