Dyshohen se trafikuan njerëz, në Bogovinë arrestohen shtatë persona

Në një objekt hotelierik afër Bogovinës, në autostradën Tetovë – Gostivar, policia mbrëmë arrestoi shtatë persona nën dyshimin për pjesëmarrje në veprën penale trafikimit të qenieve njerëzore. Aksioni u krye nga mesnata deri në orën një.

“Nënpunësit policor nga SPB Tetovë kanë kryer kontroll në një objekt hotelierik në autostradën Gostivar – Tetovë, në pronësi të H.A (32) nga fshati tetovar Bogovinë. Gjatë kontrollit në objekt, përveç punonjësve, u gjetën shtatë persona, nga të cilët dy shtetase maqedonase, tre shtetase ruse dhe dy serbe. Të shtatë personat u privuan nga liria dhe u dërguan në Stacionin Policor të Tetovës, për shkak të dyshimit të arsyeshëm për vepër penale në përputhje me nenin 418-a të Kodit Penal”, sipas SPB Tetovë.

Pronari i objektit u thirr gjithashtu për bisedë në stacionin policor, njoftojnë nga policia.