Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut ka konstatuar dyshime serioze për punë të pakujdesshme dhe joprofesionale të një gjyqtari nga Gjykata e Apelit Shkup, pasi disa lëndë gjyqësore janë zvarritur deri në vjetërsimin e aktgjykimeve.
Sipas gjetjeve të Këshillit Gjyqësor, procedurat e vonuara kanë bërë që disa raste të mbeten pa epilog, ndërsa një pjesë e lëndëve, sipas raporteve, janë lënë në sirtarë deri në skadimin e afateve për ndjekje penale.
Edhe pse gjatë seancës nuk është përmendur emër konkret, rrethanat e rastit tregojnë se bëhet fjalë për gjyqtarin e apelit Gjoko Ristov. Kundër tij më herët janë dorëzuar edhe ankesa anonime në Këshillin Gjyqësor, shkruan 365.com.mk, transmeton Zhurnal.mk.
Emri i Ristovit ishte përmendur edhe më parë në opinion pas zbulimit të rreth 350 mijë eurove të fshehura në mur në shtëpinë e prindërve të tij në Negotinë, pas së cilës ishte hapur edhe hetim ndaj tij.
Një grup pune i Këshillit Gjyqësor, pas kryerjes së një kontrolli të jashtëzakonshëm, ka konstatuar tejkalime të afateve ligjore, shtyrje të pajustifikuara të seancave publike dhe raste kur të akuzuarit kanë qëndruar më gjatë në arrest shtëpiak për shkak të këtyre vonesave.
Në një rast konkret, shpallja e aktgjykimit është shtyrë për 62 ditë pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, çka konsiderohet shkelje serioze e Ligjit për procedurë penale.
Në raport përmendet edhe lënda “Spec kasa”, e cila ka qëndruar në Gjykatën e Apelit pothuajse një vit e gjysmë. Gjatë kësaj kohe janë caktuar 16 seanca publike, por në fund rasti ka rënë në parashkrim absolut më 30 dhjetor 2025.
Këshilli Gjyqësor ka vlerësuar se ekzistojnë dyshime se gjyqtari nuk ka bërë përpjekje të mjaftueshme për përfundimin në kohë të lëndëve, duke e ekspozuar ndjekjen penale ndaj rrezikut të parashkrimit.
Për këtë arsye, Këshilli ka vendosur t’ia heqë imunitetin gjyqësor Ristovit dhe të miratojë caktimin e arrestit shtëpiak ndaj tij. Po ashtu, është marrë vendim që ai përkohësisht të largohet nga ushtrimi i funksionit të gjyqtarit deri në përfundimin e plotfuqishëm të procedurës penale.



