Dyluftimi i integristëve!

Shkruan: Medai Shaholli

I ashtuquajturi ‘grupi i zjarrit’ brenda integristëve me protagonistë Musa Xhaferi, Izet Mexhiti dhe Blerim Bexheti, kanë shpallur tashmë ‘luftën’ brenda llojit për ta spostuar Tanin e Grubëve nga qeveria për shkak të qëndrimeve të tija arrogante përballë elektoratit integrist siç thonë ata.
Lufta për ta rrëzuar Tanin e Ali beut ka filluar që para dy vitesh, qysh me formimin e qeverisë Zajko 2, por ama lufta për dominim të klaneve brenda integristëve mbahej e fshehur derisa dje, ‘krisi pushka’ e parë e grupit gueril të zjarrit, me letrën e hapur ndaj Ali beut që kishte mospajtim dhe kërkesa për ta tërhequr Tanin nga qeveria si i papërshtatshëm dhe arrogant.

Nga ana tjetër bëhet e ditur se Ali beu nuk e ka pranuar dorëheqjen e çirakut të tij Tani, por ‘grupi i zjarrit’ brenda partisë nuk pajtohet me vendimin Ali beut që refuzon ta tërheq nga qeveria çirakun e tij dhe kështu lufta për dominim mes klaneve brenda DUI-t do të vazhdojë të ashpërsohet.

Kësisoj, arrivistët e grupi gueril brenda DUI-t, me Xhaferin dhe Mexhitin po përgatisin kundërsulmin e radhës derisa t’i japin dërmën çirakut të Ali beut nga pozita e zv.kryeministrit, thonë burime të mirëinformuara brenda ‘grupit të zjarrit’!

Pakënaqësitë e mbledhura në vite në përzgjedhjen e kuadrit integrist nga ana e Ali beut, pa marrë në konsideratë mendimin e ‘grupit të zjarrit’ ka kulmuar që këto pakënaqësi të shpërthejnë sot kundër një klani tjetër të mbështetur nga Ali beu.

Mbetet për t’u parë në ditët në vijim nëse ‘grupi gueril’ brenda DUI-t, do të ketë apo jo mbështetjen e simpatizantëve dhe militantëve integristë në këtë ‘luftë’ për dominim të një klani kundër një tjetri brenda partisë së tyre.

Lufta brenda llojit vazhdon…