Dy vetëvrasje në spitalin Covid2 në Tiranë, prokuroria nis hetimet

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet në lidhje me dy vetëvrasjet e ndodhura gjatë kohëve të fundit në ambientet e spitalit ‘Shefqet Ndroqi’, i kthyer në spitalin Covid2 në kryeqytet.

Prokuroria po heton vetëvrasjet e dy pacientëve me Covid nën akuzat e shkaktimit të vetëvrasjes dhe mjekimit të pakujdesshëm. Mësohet se janë marrë në pyetje tashmë familjarët e dy viktimave, 29 vjeçarit me inicialet Xh.K dhe 65 vjeçarit me iniciale H.M, i cili i dha fund jetës mbrëmjen e djeshme.

Kujtojmë se më datë 13 gusht u hodh nga kati i tretë i spitalit 29 vjeçari, i cili po merrte mjekim dhe ishte drejt shërimit.

Ndërkohë ditën e djeshme, 65 vjeçari që rezultonte të ishte dhe vjehrri i një deputeti shqiptar, u hodh nga kati i katërt dhe gjeti vdekjen. Burri kishte vetëm dy ditë që kishte rezultuar me Covid dhe ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore.