Dy të vdekur dhe 253 raste të reja me COVID-19 në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, në raportin ditor për situatën epidemiologjike ka njoftuar të dielën se janë regjistruar edhe dy viktima nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.

Autoritetet shëndetësore kanë testuar edhe 1.586 mostra, dhe pas analizave të kryera, pozitive në koronavirus kanë rezultuar 253.

Aktualisht 6.140 persona e mbartin sëmundjen dhe njihen si raste aktive me COVID-19. Sipas raportit, nga koronavirusi janë shëruar edhe 646 pacientë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 46.259.

Që prej marsit të vitit 2020, e deri më 10 janar 2021, Kosova ka regjistruar 53.776 raste pozitive me COVID-19. Prej tyre, 1.377 pacientë kanë vdekur.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj, të dielën ka ftuar qytetarët të vazhdojnë me respektimin e masave kundër përhapjes së pandemisë. Ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka përmendur situatën me rritjen e numrit të të infektuarve në Evropë, por ka thënë se Kosova po vazhdon ta menaxhojë mirë gjendjen.

Zemaj pretendon se tashmë janë siguruar 1.220.000 vaksina kundër koronavirusit.

“Deri në arritjen e vaksinave, të vazhdojmë t’i respektojmë masat, të mos i ngarkojmë institucionet shëndetësore dhe të gjithë të hospitalizuarit jo vetëm me Covid por edhe për nevojat dhe shërbimet tjera shëndetësore”, ka shkruar Zemaj.