Dy mjekë, tre infermiere dhe dy punonjës në administratën e spitalit të Strumicës pozitivë në Covid-19

Dy mjekë, tre infermiere dhe dy punonjës në administratën e spitalit në Strumicë janë pozitivë në Covid-19 dhe gjenden në izolim shtëpiak, konfirmoi drejtori i ISHP “Spitali i përgjithshëm Strumicë”, dr. Naqe Gogov.

Sipas tij, mungesa nga puna e mjekëve dhe infermiereve ndjehet në punën e përditshme dhe vështirë po organizohet puna në sektoret, prej ku janë të infektuarit.

“Sigurojmë personel nga sektoret tjerë, ku nuk ka pozitivë. Tani për tani kemi arritur, por vështirë. Ata tanimë janë shtatë ditë në izolim dhe shpresoj që së shpejti të kthehen në obligimet e përditshme”, tha drejtori Gogov.

Ai informoi se po mbushen kapacitetet në spital, ku pranohen pacientë të infektuar nga Kovid-19. Në hapësirën e adaptuar shtesë të ambulancave të mëparshme kirurgjike ka vetëm dy shtretër të lira, ndërsa kapacitetet në Sektorin infektiv janë moti të mbushura.

“Nëse nuk fillohet të zvogëlohet numri i të infektuarve në komunën tonë, atëherë edhe katin e parë nga krahu i ri i spitalit do ta përgatisim për pranim të pacientëve të infektuar me Kovid-19”, shtoi drejtori i spitalit në Strumicë, dr. Gogov.

Nga fillimi i pandemisë në Strumicë, janë regjistruar gjithsej 328 persona të infektuar nga koronavirusi, prej tyre aktivë janë 151./MIA