Në Maqedoni në ditë ka më shumë se 2.000 fëmijë lypsarë, e kalojnë ditën në rrugë, ndërsa në Shkup qindra flmijë janë nëpër udhëkryqet e bulevardeve. Këtë e tregojnë të dhënat nga organizata qytetare “Ndërtojmë ardhmëri”. Për këto katër vite punë të organizatës, 145 fëmijë janë larguar nga rruga dhe janë vendosur nëpër shtëpi grupore ose familje përkujdesëse, shkruan sdk.mk, njofton Portalb.mk.
“Hulumtimet tona treguan se çdo ditë nëpër qytetat e Maqedonisë lypin në rrugë 2 mijë fëmijë, ndërsa 18.500 fëmijë nuk janë në bankat shkollore ose në çerdhe. Numri është i madh i fëmijëve të cilët nuk kanë sigurim shëndetësor, nuk kanë çertifikatë të lindjes, 236 fëmijë jetojnë nën qiell të hapur, pa shtëpi, ndërsa 25 fëmijë janë evidentuar si viktima të shërbimeve seksuale”, tha Ilija Jovanoviq, kryetar i organizatës “Nëdrtojmë ardhmëri”.
Ministria e Punëve të Brendshme ka dorëzuar 246 kallëzime penale në territorin e Maqedonisë për lypje dhe tregti me fëmijë.
“Do të luftojmë derisa edhe fëmija i fundit të largohet nga rruga. Çdo pushtet lokal është e detyruar të ndajë mjete për qendër ditore për fëmijët nga rruga. Ai në Shuto Orizarë ekziston, por vështirë funksionon pa mjete. Nevojiten 15 deri në 20 qendra të tilla nëpër Maqedoni, por me persona profesionistë të cilët do të punojnë me fëmijët nga rruga të cilët lypin”, thotë Jovanoviq.
Hulumtimi dhe kontaktet me këta fëmijë kanë treguar se personat të cilët i nxjerrin për të lyp i detyrojnë të përdorin opiate që të mund të lypin në temperatura të ulëta, në të ftohtë dhe hapësirë të hapur ose vonë në mbrëmje. Shifrat deri te të cilat kanë ardhur nga shoqata janë se 85 fëmijë kanë qenë të varur nga droga përmes fryrjes së ngjitësit, një fëmijë tetëvjeçar përdor heroinë, tre fëmijë të vegjël kanë vdekur nga varësia, ndërsa tre fëmijë të gjinisë mashkullore kanë qenë të abuzuar seksualisht.
“Fëmijët punojnë në tre turne, nga ora 10 deri në ora 15, turni i dytë nga ora 15 deri në 22 dhe turni i tretë nga ora 22 deri në ora katër të mëngjesit. Një fëmijë nga lypja përfiton deri në 3.000-4.000 denarë në Shkup, ndërsa në qytetet e tjera më pak. Nga këto të holla fëmija merr deri në 50 denarë, ndërsa të hollat e tjera i marrin prindërit ose shefat e grupit. Fëmijët transferohen nga qyteti në qytet që të lypin. Kështu, nga Velesi janë dërguar në Ohër dhe Strugë për festat”, tha Jovanoviq.




