Dy media në Maqedoninë e Veriut nuk e respektuan heshtjen parazgjedhore

Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele (ASHMAA) ka raportuar që dy media në Maqedoninë e Veriut nuk e kanë respektuar heshtjen parazgjedhore, transmeton Portalb.mk.

“Bazuar në raportet nga monitorimi i mbulimit mediatik të zgjedhjeve, Këshilli i Agjencisë, në seancën e sotme të 14-të, vendosi të fillojë procedurë kundërvajtëse kundër Televizionit 21-M dhe TV Shutel për shkelje të heshtjes zgjedhore në raundin e parë të Zgjedhjeve Lokale 2025”, njoftojnë nga Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele (ASHMAA).

Kompania TV 21-M më 18 tetor kishte transmetuar reprizën e emisionit ClickPlus – Debati zgjedhor, ku ishin të ftuar tre kandidatë për kryetar në Komunën Qendër.

Televizioni tjetër, TV Shutell, më 18 dhe 19 kishte transmetuar materiale muzikore ku kishte pjesëmarrës të zgjedhjeve. Në atë spot muzikor ishte paraqitur kandidati për kryetar në Komunën e Shuto Orizarës.