Dy bashkëkryetarë dhe e djathta: A e thyen VLEN traditën e partive sulltaniste?

Shkruan: Florian NESIMI

Bashkimi i VLEN-it në një parti të vetme ka marrë formën përfundimtare. Para disa muajsh, opozita shqiptare parashikonte se menjëherë pas zgjedhjeve lokale ky koalicion do të shpërbëhej. Sot, jo vetëm që nuk u shpërbë, por u shkri në një subjekt të vetëm. Opozita, e cila gjithë narracionin e saj politik e ndërtoi mbi përçarjen e VLEN-it, tani duket se po humb edhe shpresat e fundit për një rikthim të shpejtë në pushtet.

Ajo që spikat më tepër në këtë transformim të VLEN-it është paralajmërimi për një udhëheqje me dy bashkëkryetarë. Kjo është një risi që për demokracinë tonë është më se e shëndetshme. Për dekada të tëra jemi mësuar me partitë “sulltaniste”, ku fjala e liderit është ligj dhe ku çdo mendim ndryshe shihet si tradhti ndaj partisë dhe ndaj kryetarit. Modeli i bashkëkryetarëve dëshmon se demokracia brenda partiake nxit ndryshimin. Tek e fundit, edhe lajtmotivi i demokracisë janë ndryshimet permanente dhe risitë. Ndarja e përgjegjësisë mes dy bashkëkryetarëve tregon se partia nuk do të bazohet te kulti i individit, por te bashkëpunimi dhe konsensusi gjatë sjelljes së vendimeve.
Ky model i VLEN-it me dy bashkëkryetarë është një shkëputje nga trashëgimia e kaluar e kultit të liderit. Kjo sepse ne historikisht kemi qenë peng të partive që në kodin e tyre gjenetik kanë liderin absolut. Që nga epoka e Leninit, e majta autoritare është ndërtuar mbi parimin e një figure qendrore që kontrollon çdo gjë. Një “sulltan” që nuk toleron mendim ndryshe dhe e sheh partinë si pronë private. Ky mentalitet e ka mbajtur shoqërinë tonë të bllokuar, duke prodhuar servilizëm në vend të demokracisë. VLEN-i sot ka shansin të sjellë një risi në funksionimin e partive shqiptare.

E kur jemi te risitë, edhe deklaratat se kjo parti do të ketë ideologji të qendrës së djathtë është një moment i ri politik. Në trevat shqiptare nuk ka parti autentike të djathta. Shumica ose janë majtiste në esencë, ose deklarohen të djathta por me bagazh komunist. BDI-ja, edhe pse refuzon ta pranojë publikisht, është parti me ideologji të majtë. Themeluesit e saj vijnë nga LPK-ja e dikurshme, një lëvizje tipike majtiste. Edhe tentimi i tyre para disa vitesh për t’u transformuar në “parti të gjelbër” e dëshmon ideologjinë e tyre majtiste.
Ngjashëm si BDI-ja, edhe PDK-ja në Kosovë ka të njëjtën trashëgimi nga LPK-ja. Nga ana tjetër, Partia Socialiste në Shqipëri dhe Vetëvendosja në Kosovë janë të profilizuara si parti me ideologji të majtë. Madje edhe PD-ja e Sali Berishës, edhe pse deklarohet si e djathtë, në fakt udhëhiqet nga njerëz që bartën funksione të larta në periudhën e komunizmit, gjë që i bën ata në thelb majtistë të konvertuar.

Por deklaratat e krerëve të VLEN-it se partia e tyre do të profilizohet si e djathtë duhet të dëshmohen edhe në vepër. Një parti e vërtetë e djathtë duhet të jetë e fokusuar te vlerat e familjes, liria ekonomike dhe identiteti kombëtar. VLEN-i do të mbushë vakumin e mungesës së partive të djathta vetëm nëse i dëshmon në praktikë vlerat e proklamuara, pa rënë në kurthet e kultit të liderit.

Për që profilizimi i djathtë të jetë i suksesshëm, duhet edhe guxim. Të deklarohesh i djathtë në një qeveri me VMRO-DPMNE-në si parti konservatore maqedonase është një thikë me dy tehe. Nga njëra anë, ndoshta krijohet një urë komunikimi më e lehtë ideologjike. Por nga ana tjetër, VLEN duhet të dëshmojë se mund të bashkëpunojë në qeverisje pa bërë kompromis me parimet e saj, duke mbrojtur si interesin ekonomik të shqiptarëve, ashtu edhe identitetin kombëtar.

*Kolumnë e shkruar për Gazetën Lajm dhe Lajm TV