Shkruan: Fitim NUHIU
Dy studiues nga Shkupi, Qerim Lita, një emër i spikatur i historiografisë shqiptare dhe Shkëlzen Halimi, shkrimtar dhe eseist, të enjten e 29 janarit në hotel ‘Tirana International’ në Tiranë kanë promovuar librin e tyre dyvëllimësh “Tragjedia Çame”, një botim me një interes të jashtëzakonshëm historik dhe shkencor dokumentar.
Promovimin e mbështetën dy fondacionet, ALSAR (botues i librit) dhe Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”, mbështetës relevant i çështjes çame dhe promovues i kulturës dhe historisë së Çamërisë. Në këtë promovim, libri në fjalë u vlerësua si një testament dokumentar, i pafalsifikueshëm, për të gjitha kohërat. Një mori e pafund dokumentash për ferrin e gjenocidit që ka ndodhur në Çamëri në vitet 1913-1945. Mision i madh dhe i vështirë për të zhvlerësuar shpifjet, startegjinë e destruktimit dhe zhdukjen e shqiptarëve me një mentalitet primitiv kolonialist. Hulumtime me ditë e muaj të tërë nëpër arkiva, deri në Beograd, për të gjetur dhe shpalosur të vërtetën, për të rrëzuar shpifjet dhe falsitetin.
Kjo vepër vjen si një akt kujtese historike dhe përgjegjësie morale, duke dëshmuar përmes dokumenteve arkivore autentike gjenocidin, dhunën dhe dëbimin e shqiptarëve të Çamërisë gjatë gjysmës së parë të shekullit XX. Siç theksohet edhe në parathënie, përvoja historike e çamëve përfaqëson një nga dramat më të rënda të pazgjidhura të historisë moderne shqiptare – një plagë që ende pret drejtësi.
Botimi përmbledh qindra dokumente arkivore nga arkivat shqiptare dhe ndërkombëtare, të renditura kronologjikisht, të shoqëruara me fotografi dhe referenca të sakta arkivore, dhe botohet në tre gjuhë: shqip, turqisht dhe anglisht, duke e bërë këtë dëshmi të aksesueshme për publikun vendas dhe ndërkombëtar.
Gjatë luftërave ballkanike (1912-1913), Greqia pushtoi thuajse tërë trevat jugore dhe ato jug-lindore shqiptare. Posa u pushtuan këto toka, shovinistët grekë, vranë, masakruan e dëbuan me dhunë me dhjetëra mijë familje shqiptare, me të vetmin qëllim – që në këto treva të mos ngelë asnjë gjurmë shqiptare. Vetëm në rrethet e prefekturave të Gjirokastrës, të Korçës e të Beratit u dogjën dhe u shkatërruan më se 400 katunde shqiptare të përkatësisë fetare islame. Po kjo vepër barbare u zbatua edhe në krahinën shqiptare të Çamërisë. Ushtria pushtuese greke posa hyri në Çamëri, e filloi persekutimin e menjëhershëm ndaj popullsisë shqiptare. Një ngjarje e trishtueshme ndodhi me 25 shkurt të vitit 1913, kur autoritetet greke të Paramithisë, masakruan në pabesi parinë e 10 fshatrave të krahinës Shkallë, që përbëhej prej 72 personave. Kjo masakër e shëmtuar, u krye me urdhër të komandantit të çetave greke, Deli Janaqit, me porosi që pjesa tjetër e popullsisë nga paniku “t’i braktiste vatrat e veta”, duke marrë rrugën e mërgimit, mirëpo falë mençurisë dhe gjakftohtësisë së këtij populli pamundësoi realizimin e këtij plani ogurzi.
Dokumentet e sistemuar në këtë përmbledhje janë përzgjedhur nga koleksioni i Arkivit Historik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë.
Për shkak të numrit të madh të dokumenteve, siç thonë autorët, kjo vepër me rëndësi të veçantë, është ndarë në dy vëllime. Në vëllimin e parë janë përfshi gjithsej 217 dokumente, renditja e të cilëve është bërë në mënyrë kronologjike dhe sipas numrit rendorë, duke përfshirë periudhën kohore 23 mars 1920 – 30 janar 1946. Në vëllimin e dytë janë përfshirë gjithsej 177 dokumente, që përfshijnë periudhën 26 nëntor 1944 – 26 shtator 1946. Krahas dokumenteve, në këtë vëllim janë vendosur edhe 30 fotografi që ruhen në Arkivin Historik të MPJ-së, që flasin për çamët e strehuar në Shqipëri. Gjithsesi, këto fotografi janë rrëfime në vete dhe tregojnë shumë për tragjedinë çame, duke i dhënë veprës në fjalë një përmbajtje edhe më të plotë, si dëshmi e një kohe, e cila në kujtesën e shqiptarëve ngeli si kapitulli më i dhimbshëm i historisë. Pjesa më e madhe e dokumenteve janë në gjuhën shqipe, por ka edhe dokumente në gjuhën frënge, angleze dhe serbo-kroate.
Përmbledhja “Tragjedia Çame 1913-1945”, përbën një vepër dokumentare me interes të veçantë për historiografinë shqiptare në përgjithësi, e të Çamërisë në veçanti. Shumica e dokumenteve janë të karakterit diplomatik, si: shkresa, radiograme, raporte, telegrame, informata, analiza të përfaqësive diplomatike shqiptare në Greqi, pastaj letra, informata dhe raporte të krerëve çamë midis dy luftërave botërore drejtuar autoriteteve të Qeverisë Mbretërore shqiptare, por edhe shkresa, raporte, analiza, informata, memorandume të Këshillit Antifashist Çam në harkun kohor 1944-1946, përmes së cilave pasqyrohet i tërë krimi dhe gjenocidi i shovinistëve grekë ndaj popullsisë shqiptare në Çamëri nga luftërat ballkanike e deri në mars të vitit 1945.
Sipas këtyre dokumenteve, del se numri i përgjithshëm i të vrarëve dhe të masakruarve çamë në harkun kohor qershor 1944-mars 1945 ishte 2.300, prej tyre 1.950 burra dhe 350 gra e fëmijë. Në këto shifra nuk janë përfshi 2-3.000 vetë të cilët vdiqën gjatë udhëtimit nga të ftohtit dhe uria, pjesa më e madhe e tyre gra, pleq dhe fëmijë. Ndërkohë, numri i shqiptarëve që qenë detyruar t’i lënë vatrat e tyre e të vendosen brenda kufirit të Shtetit Shqiptar ishte 18.150 vetë.
Këshilli Antifashist Çam, më 22 qershor 1945 i raportonte Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë, ku ndër të tjerave theksonte se “populli i emigruar vuan tmerrësisht pa bukë”, pasi nuk ishte në gjendje ta blejë, por edhe situata shëndetësore ishte së tepërmi e keqe për shkak mungesës së ushqimit dhe mjekimit, dhe për pasojë “më se 2.000 frymë kanë vdekur dhe kjo vdekje bëhet më e dendur në fillimin e stinës së dimrit…”.
Fondacion ALSAR me këtë botim bën dokumentimin e një prej tragjedive më të dhimbshme të njerëzimit, atë të shqiptarëve nga Çamëria, plaga e të cilëve edhe sot e kësaj dite nuk është shëruar.



