Durmishi: Unifikimi i VLEN-it është proces i domosdoshëm, në maj ose qershor mbahet kongresi i parë

Ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi, në një paraqitje në TV Shenja, ka folur në lidhje me unifikimin e VLEN-it në një parti. Ai tha se synojnë dhe punojnë që deri në qershor të mbahet kongresi i parë i VLEN-it, por shtoi se edhe pas kongresit ka shumë punë për të bërë.

Durmishi tha se unifikimi i VLEN-it në një parti është proces i domosdoshëm dhe i pakthyeshëm, si dhe kërkesë e qytetarëve.

“Procesi i unifikimit të VLEN-it është proces i natyrshëm, i domosdoshëm dhe i pakthyeshëm. Është kërkesë e qytetarëve. Ka katër parti që kanë pasur strukturat e tyre dhe kjo do kohë. Për unifikim janë shprehur të gjitha subjektet politike. Hapat janë ndërmarrë që të gjitha partitë e VLEN-it të dëshmojnë pjekuri dhe të nisim unifikimin në një subjekt të vetëm”.

“Tanimë janë formuar komisionet, kemi pasur PR të përbashkët, kadrovik të përbashkët. Do të ndërtojmë edhe një komision që do të nis procesin e unifikimit të VLEN-it në një subjekt, që do të punojë çdo ditë për këtë çështje. Do të bëhet publike data kur do të mbahet kongresi, por edhe pastaj ka punë”, tha Durmishi.

“Deri në qershor do të arrijmë të mbajmë kongresin. Pos pas kongresit ka punë që duhet të bëhet, pasi duhet të krijohen strukturat”, theksoi Durmishi.