Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, sot në hapësirat e Ministrisë mirëpriti delegacion të nivelit të lartë nga Mbretëria e Norvegjisë, të kryesuar nga ambasadorja Kristin Melsom, ambasadore e Norvegjisë në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, si dhe përfaqësues të institucioneve qeveritare dhe kompanive të njohura norvegjeze.
Siç informuan nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës, në delegacionin morën pjesë edhe znj. Anita Krokan – këshilltare e lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Norvegjisë; Gudleik Nja – drejtor i përgjithshëm i “Lærdal Medical”; Peter Remoj – drejtor i përgjithshëm i “Remøy Invest”; Lars Mikelsen, Hugo Halvorsen dhe Rune Maele – investitorë dhe aksionarë në kompaninë “Avanto”. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të “Normak Investment Group” nga Norvegjia dhe Tetova: Besim Zeqiri, Aki Etemi, Arijan Etemi dhe Aleksandar Zharkov.
Në takimin u bisedua për mundësitë për zgjerimin e investimeve norvegjeze në Maqedoninë e Veriut, me theks të veçantë në Zonën Zhvillimore Teknologjike Industriale Tetovë (ZZHTI Tetovë), e cila njihet nga qeveria norvegjeze si një nga projektet më të rëndësishme investuese në rajon.