Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, mori pjesë në shënimin e 20-vjetorit të themelimit të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, si dhe në edicionin e 16-të të ngjarjes prestigjioze TOP 100 2025. Kjo ngjarje vlerësohet si një prej platformave më të rëndësishme që mat dhe promovon kontributin e sektorit privat në zhvillimin ekonomik të vendit.
Në rrjetet sociale, ministri Durmishi potencoi rëndësinë e rolit që OEMVP ka luajtur gjatë dy dekadave të fundit, duke mbështetur sipërmarrjen dhe duke forcuar bashkëpunimin ndërmjet biznesit dhe institucioneve.
Ai theksoi se pjesëmarrja në këtë ngjarje ishte një mundësi për të riafirmuar përkushtimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës për rritjen ekonomike, hapjen e vendeve të reja të punës dhe krijimin e kushteve më të favorshme për investime.
“Së bashku do të vazhdojmë të ndërtojmë një ekonomi më të fortë, më konkurruese dhe më të drejtë për të gjithë”, shkroi Durmishi.






