Si e ftuar nderi në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Booker,” ylli botëror i muzikës, Dua Lipa, në fjalimin e saj të shkurtër, i ka bërë vend edhe Ismail Kadaresë e shqiptarëve.
“Është një nder i madh të jesh në mesin e disa prej mendjeve më të ndritura letrare të botës dhe të flasësh për një nga gëzimet më të thella në botë: kënaqësinë e thjeshtë të leximit të një libri”, e ka nisur ajo fjalimin e saj, kryefjalë e të cilit ka qenë pasioni që për të ka disa kuptime.
“Ashtu si shumë fëmijë të tjerë të shkollës londineze, obsesionet e mia të hershme përfshinin Roald Dahl dhe Malorie Blackman, të cilët të dy më dhanë perla të vogla urtësie që më udhëheqin edhe sot”, ka thënë ajo, për t’iu kthyer fëmijërisë në Kosovë.
“Kur isha 11 vjeçe, familja ime vendosi të kthehej në Kosovë. Leximi i librave siç është ‘Kështjella’ e Ismail Kadaresë më ndihmoi që ta përvetësoj gjuhën, por më ndihmoj edhe ta kuptoj identitetit tim familjar dhe të kaluarën tonë.
Nga Kadare mësova për frymën e rezistencës shqiptare, po atë vendosmërinë kokëforte që i mban kosovarët të luftojnë për njohjen ndërkombëtare dhe për pavarësinë tonë sot”, ka thënë ajo.
Ka kujtuar se angazhimet e çojnë në krejt globin dhe jeta është shpesh e tensionuar. “Ndonjëherë vetëm për të mbijetuar, më duhet të krijoj një dukje të ashpër. Dhe në këto momente, janë librat ata që më zbutin”, ka thënë ylli i muzikës. Sipas saj, shkrimi i mirë ka fuqinë t’i bëjë njerëzit të dalin në sipërfaqe dhe të tregojnë histori që bota i ka injoruar.
“Ne të gjithë duam vetëm të duam dhe të na duan dhe ta gjejmë vendin tonë në botë dhe autorët me të vërtetë na ndihmojnë ta bëjmë këtë. Nëse libri juaj ishte diçka që ju e keni shkruar vetëm për veten tuaj, për ta ndryshuar botën apo thjesht sepse e keni ndier, faleminderit që na lejuat të hyjmë në botët që i krijoni”, ka thënë Lipa. E ka përmbyllur si lexuese. “Kjo me të vërtetë do të thotë shumë për ne lexuesit”.