ShowBiz Dua Lipa dhe i fejuari i saj janë në kërkim të një...

Dua Lipa dhe i fejuari i saj janë në kërkim të një vile në vlerë deri në 10 milionë euro për ta blerë për pushime

Dua Lipa dhe i fejuari i saj, aktori Callum Turner, raportohet se janë në kërkim të një vile luksoze me vlerë deri në nëntë milionë funte (10.4 milionë euro) në zona me diell, si Marbella apo Andalucia, duke kërkuar qetësi dhe privatësi.

Vetëm në qershor, Dua konfirmoi publikisht fejesën e saj me Callum, duke ndarë emocionet e momentit kur aktori i propozoi, megjithëse thashethemet për propozimin kishin nisur që në fund të vitit të kaluar, shkruan DailyMail.

Në një tjetër hap të rëndësishëm të lidhjes së tyre, këngëtarja 30-vjeçare dhe aktori 35-vjeçar po mendojnë të blejnë një rezidencë ku të mund të pushojnë me familjen dhe miqtë, larg zhurmës së përditshme.

Me karrierat e tyre të suksesshme në botën e showbiz-it, ata kanë një buxhet të madh për këtë pronë, duke parë rezidenca që variojnë nga tre deri në nëntë milionë funte (nga 3.4 deri në 10.4 milionë euro).

Një burim i tha The Sun: “Shtëpia duhet të jetë mjaft e bollshme për Duan dhe Callum-in, si dhe për familjen dhe miqtë e tyre. Ata kërkojnë mbi të gjitha qetësi dhe privatësi, dhe kjo është bërë shumë e qartë. Ata tashmë kanë marrë informacione për prona që kushtojnë nga tre deri në nëntë milionë funte dhe po i shqyrtojnë. U janë treguar vila madhështore buzë detit, si dhe një rezidencë e madhe në kodrat e Marbellës. Çifti është gati të bëjë një ofertë së shpejti”.

Kjo vjen pas raportimeve se ata kanë çuar marrëdhënien e tyre në një tjetër nivel duke hapur një biznes së bashku.

Çifti i dashuruar kanë themeluar këtë javë kompaninë TwentyTwo Films Limited, një kompani prodhimi filmash dhe programesh televizive, që shihet si një shtresë e re në romancën e tyre para martesës, e cila ende nuk është konfirmuar.

Dua dhe Callum zotërojnë pjesë të barabarta në biznes. Një burim shtoi: “Të dy janë njerëz shumë ambiciozë dhe kanë plot plane për sipërmarrje të përbashkëta. Dua tashmë ka pasur një përvojë në film, por nëse merr pjesë në projekte të tjera dëshiron të ketë më shumë kontroll krijues. Ajo dhe Callum kanë shumë ide që besojnë se do të funksionojnë. Është ende herët, por gjërat tashmë kanë filluar të lëvizin”.

Ndërkohë, muajin e kaluar Dua festoi ditëlindjen e saj të 30-të në një destinacion bregdetar së bashku me Callum-in dhe miqtë e saj.

Në një nga fotot e shpërndara, këngëtarja dhe i fejuari i saj shfaqeshin më të lumtur se kurrë, të përqafuar në bregdet.

Dua gjithashtu tregoi format e saj në një bikini të zezë dhe pantallona me pika, ndërsa ndau edhe një foto të Callum-it pa bluzë duke luajtur poker, si dhe disa selfie të tjera plot buzëqeshje.

Në festën e ditëlindjes disa ditë më herët, ajo publikoi një mesazh emocional për fansat, duke falënderuar sidomos prindërit e saj.

“Faleminderit të gjithëve për urimet e ditëlindjes. Ky vit i fundit ka qenë, pa dyshim, viti im më i preferuar deri më tani. Dhjetë vitet e fundit kanë qenë një udhëtim i pabesueshëm që nuk mund ta kisha ëndërruar ndonjëherë… të njëzetat e mia kanë qenë thjesht MAGJIKE. Jo pa sfida apo momente të sikletshme, por të mbushura me më shumë dashuri, gëzim dhe mësime sesa e kisha imagjinuar ndonjëherë. Jam thellësisht mirënjohëse për çdo hap të këtij udhëtimi dhe gjithçka që më ka sjellë deri këtu. Jam pafundësisht falënderuese për familjen time, veçanërisht për prindërit @anesalipa & @dukagjinlipa ~ ju jeni zemra e gjithçkaje. Falë jush, unë, @rinalipa dhe @gjinlipa gjithmonë jemi ndjerë sikur bota ishte në duart tona, se asnjë ëndërr nuk ishte shumë e madhe dhe se absolutisht gjithçka ishte e mundur”, shkroi Dua.