Një sulm me dron nga Ukraina ka shkaktuar zjarr në një depo nafte në rajonin jugor të Volgogradit në Rusi, kanë njoftuar autoritetet rajonale të shtunën.
Sipas guvernatorit të rajonit, nuk ka raportime për viktima.
Autoritetet nuk dhanë detaje për dëmet, por thanë se banorët që jetojnë afër depos mund të kenë nevojë të evakuohen.
Ukraina po kryen sulme me dronë me rreze të gjatë veprimi ndaj objekteve energjetike ruse, me qëllim që t’i heqë Moskës zyrtare të ardhurat nga eksporti i naftës, të cilat i nevojiten për ta vazhduar luftën, raporton AP.
Edhe guvernatori i rajonit të Belgorodit në Rusi, tha të shtunën se 600.000 banorë kanë mbetur pa energji elektrike, ngrohje dhe ujë pas sulmit ukrainas.
E gjatë natës edhe Rusia sulmoi Ukrainën me 121 dronë dhe një raketë balistike Iskander-M, sipas forcave ajrore ukrainase. Raportohet se 94 dronë u rrëzuan.
Rusia po përpiqet të shkatërrojë rrjetin energjetik të Ukrainës, duke synuar t’u mohojë civilëve ngrohjen, dritën dhe ujin.
Sulmet reciproke të së shtunës ndodhën një ditë pasi Rusia bombardoi Ukrainën me qindra dronë dhe dhjetëra raketa gjatë të premten. Sipas autoriteteve ukrainase, nga këto sulme u vranë të paktën katër persona në kryeqytetin Kiev.
Për herë të dytë që nga fillimi i luftës, e cila ka hyrë në vitin e katërt, Rusia përdori një raketë të re hipersonike, të quajtur Oreshnik, e cila ka kapacitet bërthamor. Raketat goditën Ukrainën perëndimore të premten, në atë që u pa si një paralajmërim për aleatët e NATO-s.
Sulmet intensive ndodhën pas raportimeve për përparim të madh në bisedimet mes Ukrainës dhe aleatëve të saj, lidhur me mbrojtjen e vendit në rast se arrihet një marrëveshje paqeje e ndërmjetësuar nga SHBA-ja.




