Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se vendi i tij është “shumë i vogël për të kërcënuar Turqinë” pas deklaratave të tij mbi dërgesën e dronëve të Turqisë në Kosovë, duke e përshkruar atë si fuqinë e dytë më të madhe ushtarake të NATO-s.
Duke folur në një konferencë për shtyp, Vuçiq foli për dërgesën e fundit të dronëve kamikaze Skydagger nga Turqia në Kosovë dhe komentoi mbi gjendjen e marrëdhënieve dypalëshe midis Beogradit dhe Ankarasë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ndërsa duke iu përgjigjur akuzave të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani se ai kishte kërcënuar Turqinë, Vuçiq përsëriti se Serbia është “shumë e vogël për të kërcënuar” një komb që ai e përshkroi si “një fuqi të madhe”, duke pretenduar se komentet e tij ishin keqkuptuar.
Kujtojmë se një ditë më parë, presidenti serb kishte pasur “fjalë më të ashpra në drejtim të Turqisë”, pas lajmit mbi dërgesën e dronëve të Turqisë në Kosovë.
Në llogarinë zyrtare në rrjetin social “X”, ai kishte thënë se tani është plotësisht e qartë se Turqia nuk dëshiron stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe se ëndërron të ringjallë Perandorinë Osmane.
“Jam i tmerruar nga sjellja e Turqisë dhe shkelja brutale e Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe nga vazhdimi i armatosjes së Kosovës”.
“Tani është plotësisht e qartë se Turqia nuk dëshiron stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe ëndërron të rivendosë përsëri Perandorinë Osmane. Serbia është një vend i vogël, por ne e kuptuam mirë mesazhin”, kishte deklaruar të mërkurën Vuçiq.
Vuçiq ka folur edhe për kritikat në median serbe në lidhje me miqësinë e tij personale me Erdoganin.
Në këtë drejtim, edhe pas transferimit të armëve të Turqisë në Kosovë, Vuçiq mbrojti marrëdhënien e tij me udhëheqësin turk.
“Kur bëhet fjalë për presidentin Erdogan, unë gjithmonë do të jem një mikpritës i mirë”, tha ai. “Po flasim për një udhëheqës të madh dhe një vend të madh e të suksesshëm…”, shtoi Vuçiq.
Ai theksoi se ruajtja e marrëdhënieve të mira me Turqinë dhe mbrojtja e interesave kombëtare të Serbisë nuk ishin qëllime që përjashtojnë njëra-tjetrën.
Vuçiq ka shtuar se më parë kishte diskutuar bashkëpunimin ushtarak të Turqisë me Kosovën drejtpërdrejt me Erdoganin në “Shtëpinë Turke” në Nju Jork në shtator 2024, të cilin e përshkroi si “një nga arritjet e tjera të Presidentit Erdogan”.