Drogomishti i vogël do të ndahet në dysh! Banorët kundër projektit për autostradën Kërçovë-Bukojçan

Ky është vendi përmes së cilit do të ndërtohet autostrada Kërçovë-Bukojçan, në drejtim të Gostivarit, e cila lidhet me korridorin 8.

Sipas projektit autostrada kalon përmes fshatit Drogomisht i Vogël dhe e ndanë fshatin në dy pjesë.

Autostrada  përveç se kalon shumë afër shtëpive,  ura që është paraparë të ndërtohet në këtë pjesë kalon mbi varreza dhe mbi oborret e shtëpive të disa banorëve.

Lagjja ku duhet të kalojë autostrada është e mbushur me shtëpi të reja, të banueshme kryesisht me mërgimtarë.

Disa prej tyre janë kundër pasi sic thonë autostrada do të bëhet pengesë për banorët.

“Ne jemi kundër projektit që autostrada të kaloj përmes të fshatit sepse do të shkatërrohet I gjithë fshati, do të ketë pasoja të mëdha, do të ndahet fshati në dysh, do të prishet hyrja e fshatit, prishet cilësia e jetës së fshatit, mbyllet rruga kryesore që shkon tek shkolla qendrore “Rexh Rushit Zajazi”, tek stacioni policorë, stacioni hekurudhës, posta, ambulanta etj”, tha Arsim Ziberi – banor.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore Ejup Rustemi thotë e projekti është në fazën e vazhdimit, fazë e cila nuk mund të ketë ndryshime, ai thotë se mjetet për këtë autostradë janë siguruar nga Banka Europiane për zhvillim. Gjithashtu ai tha se kanë qenë në kontakt me Komunën dhe me banorët e fshatit në lidhje më këtë projekt.

“Projekti i cili financohet nga Banka Evropiane për Zhvillim dhe rikonstruim, kemi qenë në biseda e sipër që janë siguruar mjetet dhe tash është në fazën kur duhet të kemi shqyrtimin publik të projektit ekologjik dhe të projektit në atë pjesë. Kur është filluar traseja ka pasur disa mendime nga institucionet  relevante se ku duhet të kalojë. Unë kam qenë në kontakt me kryetarin e  Komunës gjithashtu kam qenë në kontakt edhe me banorët e fshatit”, u shpreh Ejup Rustemi – Drejtor i NP “Rrugë shtetërore”.

Por Arsimi e thotë të kundërtën,  se nuk kanë qenë të informuar dhe nuk i ka konsultuar askush në lidhje më këtë.

“Ne nuk kemi asnjë informatë kemi kërkuar nga kryetari i fshatit, por ata na kanë thënë që është projekt ideor dhe nuk na kanë dhënën asnjë informatë”, potencoi Arsim Ziberi – banor.

Banorët janë mobilizuar dhe  po mbledhin nënshkrime kundër ndërtimit të kësaj autostrade. Deri sot ata në dorë kanë mbi 2000 nënshkrime. Kërkesë për mos ndërtimin e kësaj autostrade e cila kalon tek varrezat e fshatit ka bërë edhe Myftinia e Kërçovës./TV21