Dritëhijet e figurës politike të Shqiprim Arifit

Shkruan: Fitim Nuhiu

Politikën në Preshevë nuk them se e përcjell qysh herët, me thënë të drejtën nuk më interesonte aq shumë, herë pas here përcillja ndonjë seancë të kuvendit mirëpo nuk më bëntë kurioz edhe aq shumë të ndiqja belbëzimet dhe recitimet e zymta e me letër të këshilltarëve të asaj kohe.
Edhepse është shumë herët të analizohet dhe vlerësohet figura e Shqiprim Arifit në skenën politike, sepse akoma është në proces të aktivitetit të tij, vlerësimet e mia po i bëj deri në ditën që është shkruar edhe ky shkrim.

Falë keqqeverisjes, zhvatjes së parasë publike – parasë së qytetarëve dhe mosvullnetit të mirë të partive politike shqiptare në qeverisjen e pushtetit lokal (pavarësisht fjalimeve të tyre retorike patriotike) erdhi në skenë një njeri i jashtëm (një ‘outsider’) që të menaxhon dhe “të shpëton” anijen nga përmbytja, dhe qytetarët e këtij vendi e mirëpritën këtë njeri, qoftë ai edhe i panjohur, që ka një ‘background’ europian dhe shpresuan tek ky njeri i ‘pasur’ mos ndoshta ky po i shpëton e po i nxjerr nga mjerimi dhe papunësia.
Pra mendoj se kjo keqqeverisje e këtyre partive, zhgënjimi i qytetarëve kundrejt tyre solli në skenë Shqiprim Arifin, një njeri të ri, pa të kaluar, vetëm me të tashmen dhe sytë kah e ardhmja me një gjallëri e premtime për hapjen e vendeve të punës, gjë që ishte ofertë e mirë, dhe e vetme për qytetarët e Preshevës.

Kur erdhi në skenën politike Shqiprim Arifi, fillimisht e shihja me një dyshim të ekzagjeruar dhe një paragjykim të theksuar. Pyesja veten se përse vallë ky njeri të vjen prej një vendi super të zhvilluar e t’ia prish vetes komoditetin jetësor e t’i hyj një sfide torturuese e të merret me lloj lloj mbeturine komuniste siç shohim në skenën politike preshevare e të mundohet të drejtojë e menaxhojë një komunë të pazhvilluar sikur komuna jonë, çfarë fshiheshte prapa tij, etj…!?

Sidoqoftë, mbaja këtë mendim dhe këtë qëndrim dyshues e paragjykues karshi kësaj figure të panjohur për një kohë relativisht të gjatë.
Edhe pse nuk më pëlqente dhe nuk ia pranoj në asnjë mënyrë qasjen e tij vulgare, konfliktuoze, dhe të vrazhdë karshi rivalëve të tij politik, (ndoshta kjo edhe është rruga e vetme që t’i bëj ballë rivalëve të tij) më bënte kurioz të ndiqja këtë prototip në skenën tonë politike dhe më bënte kureshtar të ndiqja çdo seancë të kuvendit, t’i analizoja diskutimet që bënte personi në fjalë dhe çështjet dhe shqetësimet në interes të publikut që ngrisnin subjekti i tij, si edhe kritikat që i adresoheshin një politikani të ri e besa edhe të çuditshëm.

Gjuha e tij e çalë dhe e veçantë, stili i tij i pazakontë, qëndrimi i tij ‘superior’ karshi Serbisë dhe politikës mbarëkombëtare e të jashtme e bënte edhe më interesante një njeri të tillë, gjë që na bënte të gjithëve të qeshim e të përqeshim atë, kuvendi ishte bërë sikur skenë cirku që kërkonte audiencë pasionante, mirëpo, sidoqoftë, ai vazhdonte punën e tij, i pakompleksuar nga një paragjykim kolektiv duke mobilizuar dhe tërhequr shumë të rinj e shumë të pakënaqur nga ujërat e partive të vjetra që të gravitojnë në partinë e tij.
Erërat dhe ujërat (koalicionet) e partive politike i sprovoi dhe provoi thuajse të gjitha, duke i sulmuar, e me disa duke flirtuar e duke bërë dashuri e divorce pushtetesh dhe se kjo e bëri edhe më të fortë që të rreshtojë dhe formojë siç duhet strukturat brenda partisë së vet.

Fryma rinore (fakt: i ka dhënë zë rinisë në vendimmarrje), fryma demokratike (gjë e panjohur në vendin tonë) që ka sjellur është një fakt që shihet edhe prej hënës, mjafton fakti t’i shohësh këshilltarët e tij (duke parë energji rinore në fjalimet e tyre me përplot pasion e kërkim dhe dhënie llogarie të parasë publike) e duke vazhduar tek drejtuesit e institucioneve publike, që vendosi figura të reja, gjë që ishte e rrallë, apo të thuash e panjohur derimëtani nga mbeturinat moniste të pushteteve të kaluara.

Duke i analizuar veprimet e tij politike, fushatën e tij do të thoja me fjalime pompoze e delirante, e besa ndonjëherë edhe qesharake mund të gjykoj se këtë e bënte ndoshta edhe i shtyrë domosdoshmërisht përshkak të rrethanave të egra politike, sepse ndryshe në këtë tokë s’mund edhe të mbijetonte sikur të silleshte ndryshe me kulturë e me drejtësi.

T’i analizosh fjalimet e këshilltarëve të subjektit të tij, struktura dhe qasja që fjalimet e tyre kanë, janë fjalime të zjarrta dhe me përplot pasion dhe se kjo gjë më kujton një filozof kur thotë se aty ku ka liri mendimi e veprimi, aty ku ka pavarësi individuale – aty ka edhe pasion dhe energji të zjarrtë, e kjo gjë shihet hapur tek të gjithë këshilltarët në fjalë (vlen theksuar fakti kur dy këshilltarë të partisë së tij, në mënyrë të pavarur dhe të lirë i dhanë votën për kryetar kuvendi një rivali të tij politik).
Nëpër diskutimet e tij shpesh i bën apel (me apo pa ironi) që të fusin të rinj në partitë rivale, të heqin qafe të vjetrit (të konsumuarit) nga skena politike dhe interesohet që të reformohen partitë e vjetra edhepse kjo gjë mund ta sfidonte atë politikisht dhe mund të rrezikonte mirëqenien e tij politike, mirëpo shihet që e do garën dhe nuk i frikësohet asaj, e kjo gjë është për t’u vlerësuar në parimet bazë demokratike.

Përfundoj se hyrja e tij në skenën politike të Preshevës, ka mobilizuar njerëz që ia duan të mirën këtij vendi (jo domosdoshmërisht vetëm në subjektin e tij) dhe ka formuar një zë politik që di të dëgjon edhe zërin qytetar si edhe ia ka përzier, zier e vluar fort ujërat dhe rrethanat politikave të vjetra, i ka shpërfaq dhe i ka nxjerr në pah para qytetarëve zhvatjet dhe keqpërdorimet e politikave lokale, të keqqeverisura nga kasta e vjetër e politikanëve tanë dhe qytetarët e Preshevës nuk e kanë ditur saktë se sa paraja qarkullon nëpër duart e atyre politikanëve që nuk japin asnjë llogari karshi votuesve dhe qytetarëve të vet, e këshilltarët e tij e theksojnë këtë gjë shumë herë, që duhet dhënë llogaria se ku dhe kah po na shkojnë paratë tona, thjesht kanë futur kulturën e llogaridhënies dhe përgjegjësisë politike.
Shpresoj që qytetarët (ata që kanë mbetur në Preshevë) të mos zhgënjehen nga kjo figurë politike kaq optimiste dhe premtuese!
Sidoqoftë, koha do ta vlerëson dhe është gjykatësi më i mirë!

P.S. Nuk jam anëtar e as simpatizant i asnjë partie në Preshevë.
E them këtë që të bindeni që jam i paanshëm dhe i drejtë në gjykimin e mësipërm.
Nuk e kam takuar asnjëherë as personalisht e as zyrtarisht dhe s’kam biseduar as edhe virtualisht me personin në fjalë, porse më stimulon fenomeni i tij, dhe nuk më lë rehat pa analizuar, pa gjykuar dhe pa komentuar figurën e tij politike.
30.05.2022