Dritan Goxhaj idealist dhe bir i një familjeje idealistësh

Shkruan: Arbêr Zaimi
Dritan Goxhaj idealist dhe bir i një familjeje idealistësh.
Bashkë me të atin, Dilaver Goxhajn, kanë qenë ndër ata shumë qytetarë të Shqipërisë që i janë bashkuar UÇK-së, për çlirim të Kosovës e Bashkim Kombëtar.

Pas lufte ata nuk kanë pranuar që të përfitojnë pension, duke thënë se luftën e bënë sepse ishte detyrë ndaj Atdheut. As rroga, as tenderë.

Dritani e Dilaveri madje kanë qenë kritikë të zëshëm të disa personave që kanë shfrytëzuar emrin e lartë të UÇK-së për të marrë pozita dhe përfitime të padrejta.

Dritani e ka përsëritur nëpër medie të ndryshme në Tiranë se nëse Atdheu do të ishte në rrezik, do të ndërmerrte sërish të njëjtën detyrë patriotike – luftë kundër pushtuesit. Ai është angazhuar gjithashtu edhe për lirinë e shqiptarëve të Maqedonisë dhe të Preshevës.

Ata që fuqizuan Gjykatën Speciale në vitin 2015, duke i dhënë jurisdiksion si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, vazhdojnë të jenë fajtorë për këtë përbaltje e përndjekje të padrejtë të çlirimtarëve.