Shkruan: Blerim Shala
Kështu është puna: Vështirë është gjesh në Kosovë dikë, në mesin e popullatës shqiptare, që beson që do të ketë drejtësi në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku për tre-katër muaj do të duhej të shpallej Verdikti në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Këta të gjithë, janë në paraburgim që nga fillimi i nëntorit të vitit 2020, apo, 51 muaj të plotë.
Të kuptohemi: Edhe në rastet kur një gjykatë e këtij lloji i bën të gjithat ashtu siç duhet, në rastet e ngjashme si ky në Hagë, kur bëhet fjalë për shqyrtimin gjyqësor të figurave të cilat kanë lënë gjurmë të thella në rezistencën e armatosur të një populli dhe të një vendi, gjithmonë ka emocione, ka rezistencë, ka pakënaqësi, ka (madje), edhe mllef.
Ka edhe mosbesim të madh.
Megjithatë, ta zëmë, ndër ne në Kosovë, raporti i politikanëve dhe i qytetarëve të Kosovës me Tribunalin e Hagës (ICTY), kur janë akuzuar dhe gjykuar një herë Fatmir Limaj e pastaj Ramush Haradinaj (dy herë madje), ka qenë goxha më ndryshe se sa ky ndaj Dhomave të Specializuara.
Ky krahasim flet sa të duash. Apo jo.
Dhomat e Specializuara në Hagë, të cilat janë themeluar nga Kuvendi i Kosovës, në gushtin e largët të vitit 2015, me ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjin e posaçëm për to, kanë pasur kohë sa të duash që të kryejnë punën në atë mënyrë që njëmend të shihen si një trup i veçantë gjyqësor, por gjithsesi i Kosovës, i cili do të përpiqet që përtej dyshimit të bazuar (si thuhet), t’i ecë rrugëtimit të vet për ta gjetur të vërtetën për atë çfarë ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë, dhe për ta kodifikuar atë të vërtetë me një Verdikt: dënues apo lirues.
Por kjo instancë shumë e posaçme gjyqësore, e cila është bërë, të mos harrojmë, duke deponuar (përkohësisht), sovranitetin e shtetit të Kosovës në te (me vendimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës), duke e mbrojtur atë madje me një superstrukturë të veten (edhe me segmentin e interpretimit të Kushtetutës), nuk ka arritur në të gjitha këto vite ta krijojë besimin tek kosovarët që nuk ka asnjë pretendim tjetër pos që të ushtrojë një drejtësi të paanshme.
Për këtë shkak zaten, pas fillimit të javës së fundit të këtij gjykimi, këtë të hëne, kur Prokuroria u shfaq me kërkesën e saj që Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi të dënohen nga 45 vjet burg secili, pati reagime të thuash homogjene nga i gjithë spektri politik i Kosovës, i cili ndryshe nuk mund të dakordohet thuaja për asgjë, në të cilat u kërkua që në Hagë, në Dhomat e Specializuara të mbizotërojë drejtësia dhe asgjë më tepër.
Lufta në Kosovë ka qenë e drejtë. UÇK ka bërë luftë të drejtë. Fushata ajrore e Aleancës Veri-Atlantike ka qenë e drejtë.
Çlirimi i Kosovës dhe pastaj, edhe pavarësimi i saj, janë shëmbëlltyra të një drejtësie politike dhe historike.
Këto ishin qëndrimet që bashkuan politikanët dhe qytetarët e Kosovës.
Brenda këtyre qëndrimeve, dhe i duke i respektuar ato, shihet edhe epilogu i këtij gjykimi, vlerësojnë politikanët dhe qytetarët e Kosovës.
Është bërë tepër, do të mund të shtojë dikush.
Ne po bëhemi Sui Generis në të gjitha aspektet e mundshme, dhe jo vetëm kur bëhet fjalë për krijimin e shtetit të Kosovës, brenda një Rendi Ndërkombëtar.
Po bëhen tash pra, 26 vjet të plota që prej se format dhe mekanizmat e ndryshëm të drejtësisë, vendore dhe ndërkombëtare (por në te dy rastet me prokuror dhe gjyqtarë ndërkombëtar), merren me luftën e UÇK-së dhe me prijësit e saj.
Nëntë vjet, apo, deri në vitin 2008, këtë e ka bërë gjyqësia e UNMIK-ut. Pastaj, për tetë vjet të tjera, këtë e ka bërë EULEX-i. Në ndërkohë, siç u përmend tashmë, në dy raste, vet Tribunali i Hagës është marrë me te. Më në fund, Dhomat e Specializuara janë në detyrë që nga viti 2015.
Në asnjë shtet të dalë nga luftërat në ish-Jugosllavi, nuk mund të hasim diçka të tillë. Në asnjë shtet të vetëm.
Ndërsa realisht, nuk ka pas luftë më të drejtë se kjo që është bërë në Kosovë.
Nuk ka pas.
Rendi është që ky kapitull të mbyllet një herë e përgjithmonë. Me drejtësi. Natyrisht.



