Nga Prof.dr. Blerim SAITI
Duke analizuar Draft-Ligjin e ri për Arsimin e Lartë dhe debatet që po zhvillohen rreth tij, gjatë kësaj analize vlerësohet ndikimi real i zgjidhjeve të propozuara mbi funksionimin e universiteteve, autonominë akademike dhe drejtimin e reformës në arsimin e lartë.
Mendoj qe askush nuk e vë në dyshim nevojën për reforma, standarde dhe internacionalizim në arsimin e lartë. Problemi lind kur standardet nuk ndërtohen në mënyrë progresive, por vendosen menjëherë në nivele që realisht i përballojnë vetëm pak institucione. Pasoja nuk është rritja e cilësisë, por reduktimi i numrit të universiteteve.
Kjo qasje nuk e forcon sistemin universitar, e tkurr atë. Universitetet që nuk i përmbushin kriteret nuk përjashtohen sepse janë jofunksionale, por sepse janë të pambështetura. Ato shtyhen drejt marginalizimit, bashkimit të detyruar ose mbylljes së heshtur.
Në sport kjo logjikë kuptohet lehtë: nëse programin stërvitor të një ekipi të “Champions League” e aplikon menjëherë te një ekip i ligës së parë në Maqedoni e Veriut, pas dy javësh mbi 70% e lojtarëve do të jenë të dëmtuar. Jo nga paaftësia, por nga mospërputhja midis ngarkesës dhe kapacitetit real. E njëjta logjikë po aplikohet sot në arsimin e lartë.
Standardet e larta nuk janë problemi. Problemi është imponimi i tyre pa tranzicion, pa ndërtim kapacitetesh dhe pa mbështetje reale financiare e institucionale. Kjo nuk prodhon cilësi, por përjashtim dhe monopole akademike, veçanërisht të dukshme në studimet e ciklit të tretë.
Draft-ligji i ri, përmes kritereve uniforme dhe jo proporcionale për të gjitha fushat, sidomos për shkencat sociale dhe humanistike, rrezikon seriozisht autonominë universitare dhe barazinë institucionale.
Reformat e vërteta nuk imponohen në mënyrë të menjëhershme. Ato kërkojnë rritje graduale të standardeve, dialog të hapur dhe përfshirje reale të komunitetit akademik, përfshirë sindikatat universitare. Pa këtë qasje, ligji rrezikon të shndërrohet më shumë në instrument kontrolli sesa në reformë zhvillimore.
Një reformë që injoron realitetin nuk e forcon sistemin – e dëmton atë.
(Autori është profesor në Universitetin “Nëna Terezë”)





