DPHM: Nëntori shumë i ngrohtë dhe i thatë

Sipas matjeve dhe vëzhgimeve të temperaturave mesatare ditore dhe reshjeve në stacionet meteorologjike të Maqedonisë së Veriut, nëntori i këtij viti karakterizohet si muaj shumë i ngrohtë dhe i thatë deri në mesatar, tregon analiza mujore e DPHM.

Temperatura mesatare mujore ka lëvizur nga 5.0°C në Lazaropole deri në 12.1°C në Gjevgjeli. Krahasuar me temperaturat mesatare të mesmuajit të nëntorit, për një periudhë tridhjetëvjeçare (1981-2010), temperatura vjetore e nëntorit në mbarë vendin është 2,9 gradë Celsius më e lartë se mesatarja.

Temperatura mesatare maksimale varioi nga 9.5 gradë në Lazaropole deri në 17.9 në Gjevgjeli. Temperatura më e lartë maksimale është matur më 2 nëntor në Gjevgjeli dhe ka qenë 29.9 gradë. Temperatura mesatare minimale varioi nga 0.5 gradë në Berovë deri në 7.8 gradë në Gjevgjeli. Temperatura minimale më e ulët gjatë muajit është matur në Berovë më 26 nëntor dhe ka qenë -7 gradë.

Temperaturat e larta të pazakonta janë regjistruar në dekadën e parë të muajit. Në Gjevgjeli është tejkaluar maksimalja absolute prej 29 gradëve, e matur në vitin 2004. Temperaturat minimale më të ulëta në të gjitha stacionet e motit ishin rreth 10 gradë mbi temperaturat minimale absolute.

Në muajin nëntor, sasia mujore e reshjeve në vend varionte nga 19 mm në Shtip deri në 165 mm në Mavrovë. Reshjet ishin të shiut. Sasia maksimale ditore e reshjeve prej 75.6 mm është regjistruar në Demir Kapi më 6 nëntor.

Krahasuar me vlerën mesatare të nëntorit për një periudhë shumëvjeçare (1981-2010), totali i reshjeve të matura mujore është 15 mm ose 22 për qind nën mesataren në nivel të shtetit.