Dosja e AKSHI, 4 kompani në 9 muaj siguruan tendera në vlerën 57 milionë euro

Në 206 faqe “esencë hetimi”, Prokuroria e Posaçme, SPAK, përshkroi veprimtarinë e AKSHI-t Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, duke zbuluar një rrjet të mirë organizuar kriminal në përvetësimin e qindra milionë eurove tendera publike, mes shantazhit, pengmarrjes dhe implikimit të zyrtarëve të lartë shtetëror dhe policor të vendit.

“Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasit Ergys Agasi, Ermal Beqiri, Mirlinda Karçanaj, Hava Delibashi, Erion Ismaili, Andis Papa, Gëzim Hoxha, si dhe persona të tjerë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë organizuar dhe implementuar një skemë për paracaktimin e fituesve në procedurat e prokurimit, të kryera në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së informacionit (AKSHl), me qëllim përfitimin e paligjshëm të fondeve publike që rrjedhin nga pagesat, lidhur me kontratat publike të prokuruara”, thuhet në dosjen e Prokurorisë Speciale SPAK, të cilën Faktoje.al e disponon.

Për Agasin dhe Beqirin janë lëshuar urdhër-arreste për akuzat: “Heqjes së paligjshme të lirisë”, “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, në kuadër të një formacioni të posaçëm, “Grup i strukturuar kriminal” dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, por nuk janë ekzekutuar pasi dyshohet se janë larguar jashtë vendit. Në arrest shtëpie janë drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karçanj dhe zëvendësja e saj Hava Delibashi, ndërsa ka masë ndalim për dalje jashtë vendit për biznesmenët Papa dhe Hoxha, ndërsa pezullim nga detyra dhe ndalim për dalje jashtë vendit për numrin dy të policisë së Tiranës Erjon Ismaili.