Donika Gërvalla nuk e ka hapur në Shkup temën për transferimin e “Grupit të Kumanovës” në Kosovë (Video)

Për tre pjesëtarë të “Grupit të Kumanovës” në fund të muajit janar u raportua se kanë kërkuar që të transferohen në burgjet e Kosovës për ta vuajtur dënimin atje. Por, duket se kërkesa e proceduar përmes avokatit të tyre mbrojtës akoma nuk është shqyrtuar nga autoritetet në Shkup dhe Prishtinë. Donika Gërvalla, Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zv/kryeministren e Kosovës, i ka thënë gazetës LAJM se kjo temë nuk është hapur fare gjatë takimeve të sotme që ka pasur në Shkup me zv.kryeministrin e parë të RMV-së, Artan Grubin dhe kryetarin e Parlamentit, Talat Xhaferi.

Lajm: Gjatë takimeve me zyrtarët shqiptarë këtu në Shkup, a keni biseduar për mundesinë e transferimit të pjesëtarëve të “Grupit të Kumanovës” në burgjet e Kosovës?

Donika Gërvalla: Jo nuk e kemi biseduar këtë temë.

Lajm: Çfarë do të ndërmerr Kosova për shtetasit e saj që janë pjesë e këtij grupi dhe që kanë kërkuar të transferohen në Kosovë?

Donika Gërvalla: Unë do t’ju lusja që këtë pyetja t’ia shtronit ministrit që është kompetent për këtë çështje. Unë nuk jam e thirrur për të folur për këtë temë dhe të them të drejtën nuk do të doja ta shfrytëzoja këtë pritje të tanishme për ta hapur si temë.