Doktor Samiu ishte kirurgu i parë shqiptar në ish Jugosllavi, diplomoi në Shkup, u shpall Dëshmor i Kombit

Nga Sokol PAJA – DIELLI-
Prof. Dr. Ilirijana Haxhibeqiri – Karabdić, Shefe e Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Sarajevës në një rrëfim të ndjerë për të atin e saj.
Prof. Dr. Sami Haxhibeqiri është një ndër personalitetet më të shquara të mjekësisë shqiptare. Sukseset e mjekësisë në Kosovë në përgjithësi, sidomos fushën e kirurgjisë, në veçanti, janë të të lidhura me emrin e tij. Ai ishte njëri ndër themeluesit dhe mësimdhënësit e parë shqiptarë në Kosovë. Kuadri i mesëm dhe i lartë mjeksor është produkt i angazhimit dhe punës profesionale të tij. Prof.Dr.Sami Haxhibeqiri u lind më 7 qeshor 1933, në Mitrovicë në një familje bujare e arsimdashëse. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollimin e mesëm në Prishtinë. Studioi në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Shkupit, ku u diplomua në nëntor 1959. Më 7 nëntor të vitit 1965, kreu specializimin nga lëndën e Kirurgjisë së përgjithshme në Beograd. Është kirurgu i parë shqiptar në ish-Jugosllavi. Si specialist i Kirurgjisë së përgjithshme, në vitin 1968, emërohet kryeshef i parë shqiptar i një reparti mjekësor në institucione spitalore në Kosovë. Ishte kryeshefi i parë shqiptar i kirurgjisë në spitalin e përgjithshëm të Mitrovicës. Në vitin shkollor 1963/64, kur u hap paralelja e parë me mësim në gjuhën shqipe në Shkollën e Mesme për Infermierë, Dr. Sami Haxhibeqiri emërohet edhe mësimdhënës, ku ligjëron disa lëndë profesionale si: Anatomi, Fiziologji, Patologji, Patofiziologji, Interno, Kirurgji. Në këtë institucion të mesëm arsimor ka punuar disa vite me radhë. Për arsye të vullnetit të pashoq dhe dëshirës për aftësim të mëtejshëm profesional në Kirurgjinë Torakale, shkon për specializim në Kamenicë të Sremit, ku gjatë viteve 1968-1970 punoi me profesorët me të shquar të ish-Jugosllavise: Prof. Dr. Ivan Fajgel, Doc. Ervin Ginsberg etj. Vlen të theksojmë se në spitalin e Kamenicës së Sremit Dr. Sami Haxhibeqiri ishte i pari shqiptar, i cili ka bërë operacion të suksesshëm në zemër të hapur. Aftësimin profesional në këtë fushë e vazhdoi në Akademinë Ushtarake – VMA në Beograd tek Akademiku i mirënjohur Prof. dr. Isidor Papa. Në 1972, kreu specializimin e dytë, atë të Kirurgjisë Torakale dhe bëhet Kirurgu i Parë shqiptar në fushën e Kirurgjisë Torakale në ish-Jugosllavi. Njëkohësisht ishte në timin e parë të kirurgëve të cilët operonin zemrën në ish-Jugosllavi. Në vitin 1970 zgjidhet si ligjërues në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë dhe është një ndër themeluesit e Universitetit të Prishtinës-Fakultetit të Mjekësisë. Në vitin 1973, emërohet drejtor i Spitalit Rajonal të Mitrovicës. Siç theksuam më lart, që nga paslufta (1945), ishte drejtori i parë shqiptar në një institucioni shëndetësor. Deri në vitin 1980, sa ishte drejtues i Spitalit të Mitrovicës, në saje të angazhimit të pashoq, struktura e punonjësve ka ndryshuar, pra u rrit dukshëm numri i punonjësve shqiptarë në këtë institucion (mjekë, motra medicinave etj.). Gjatë kësaj periudhe Prof. Dr. Samiu krijoi plejadën e parë të kirugëve shqiptarë që kanë kryer Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë duke ju dhënë specializime dhe duke i aftësuar profesionalisht. Gjatë kohës sa ka punuar si kirurg dhe pedagog, ka publikuar mbi 45 punime profesionale-shkencore në vend dhe në botë, ishte laureat i shpërblimeve më të larta shtetërore nga presidenti Josip Broz Tito, ku ka përfaqësuar Kosovën në kongreset e kirurgjisë në nivel ndërkombëtar me kumtesa shkencore nga fusha i kirurgjisë së përgjithshme edhe asaj torakale, si: në Moskë, në Zhenevë, në Paris, në San Francisko, në Pekin, në Tokio, në Amsterdam, në Honolulu etj. Në vitin 1989, Dr. Sami Haxhibeqiri ishte njëri ndër nënshkruesit e peticionit të 215 intelektualëve shqiptarë të Kosovës. Në vitit 1990, u përjashtua nga puna- Klinika per Kirurgji Torakale si i pari punonjës i Qëndrës Klinike Universitare në Prishtinë. Gjatë periudhës që ka punuar në Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Mitrovicë kanë diplomuar qindra maturante (infermieri e mami), ndërsa gjatë punës si profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, 1127 studentë, përkatësisht mjekë, e kanë dhënë para tij provimin nga lëndën e kirurgjisë. Si mësimdhënës në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme dhe shumë të thella. Shumë suksese në këto institucione janë të lidhura me emrin e tij. Prof.Dr.Sami Haxhibeqiri ka dhënë ndihmën e tij profesionale, kombëtare, humanitare e patriotike në të gjithë Kosovën. Ishte i pari specialist kirurg që shkoi në Drenicë dhe Shalë të Bajgorës për ta ndihmuar popullatën, duke iu ofruar shërbime mjekësore atyre dhe ushtarëve të UÇK-së. Prof. Dr. Sami Haxhibeqiri ishte fitues i shumë dekoratave, medaljeve dhe mirënjohjeve në nivel federativ për kontribut të dhënë shkencës dhe shëndetësisë në ish-Jugosllavi. Pas vdekjes Fakulteti i Mjekësisë në Prishtinë ka themeluar çmimin për Etikë Mjekësore që mban emrin e tij. Kuvendi Komunal i Mitrovicës disa herë e ka dekoruar me mirënjohje për veprën jetësore të tij. Është vendosur pllaka në vendin ku gjatë viteve ’90 ishte themeluar dhe ka vepruar ordinanca popullore“Dr. Sami Haxhibeqiri”. Spitali Rajonal i Mitrovicës është pagëzuar me emrin e këtij kirurgu të mirënjohur, kirurgut të parë shqiptar të Kosovës, të pishtarit të mjekësisë kosovare “Dr. Sami Haxhibeqiri”, të mësimdhënësit të devotshëm të arsimit të mesëm e universitar në Kosovë. Prof. Dr. Sami Haxhibeqiri për kontributin e tij të vyer për kombin shqiptar është shpallur edhe Deshmor i Kombit.