Dogana me aksion kundër barnave të kontrabanduara në veri

Dogana dhe Policia e Kosovës kanë kryer kontrolle në disa barnatore në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, lidhur me dyshimet për kontrabandë me barna dhe materiale mjekësore.

Nga Dogana e Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se në dy barnatore në Zveçan dhe Zubin Potok është zbuluar një sasi “e konsiderueshme e barnave të kontrabanudara në Kosovë”.

“Këtë informatë [për dyshimet për barna të kontrabanduara] Dogana dhe Policia e kanë pranuar nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës”, thanë nga Doganat.

Zyrtarë të Doganës së Kosovës duke kontrolluar një barnatore në veri të Kosovës më 7 mars 2024.
Zyrtarë të Doganës së Kosovës duke kontrolluar një barnatore në veri të Kosovës më 7 mars 2024.

Ndërkaq, zëvendësdrejtori i policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se kontrolle janë kryer edhe në Mitrovicë të Veriut.

Sipas Elshanit, policia e Kosovës ka ndihmuar Doganën, duke thënë se operacioni i bastisjes në Zveçan ka përfunduar. Në vendngjarje kanë dalë edhe pjesëtarët e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX).

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e ka kundërshtuar këtë aksion duke e cilësuar si “veprim antiserb” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Fëmijët, të moshuarit dhe të gjithë ata që kanë nevojë për mjekim do të mbeten pa mjekim për shkak të regjimit në Prishtinë, i cili vazhdon politikën e mohimit të së drejtës për trajtim, si dhe të gjitha të drejtave të tjera për bashkëqytetarët tanë”, shkroi Lista Serbe në një postim në Facebook.

Ajo e ka kritikuar edhe bashkësinë ndërkombëtare, duke thënë se ajo e ka “përgjegjësinë për keqbërjet e Kurtit ndaj serbëve”.

Në Mitrovicë të Veriut, kontrollet janë kryer në barnatoren “Oreol”, ndërkaq në Zveçan në një objekt për shitjen e mallrave me shumicë, mëson Radio Evropa e Lirë. Në Mitrovicë të Veriut më 7 mars po ashtu janë mbyllur barnatore të tjera në afërsi ku ndodhi aksioni i Doganës së Kosovës.

Vetura e Doganës së Kosovës para një barnatoreje në Mitrovicë të Veriut më 7 mars 2024.
Vetura e Doganës së Kosovës para një barnatoreje në Mitrovicë të Veriut më 7 mars 2024.

Kjo nuk është hera e parë që autoritetet kryejnë bastisje në veri të Kosovës, nën dyshimet për mallra të kontrabancura.

Një aksion policor në tetor të vitit 2021 në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan u përcoll me dhunë dhe barrikada nga popullata vendëse, teksa dhjetëra persona ishin lënduar dhe tetë ishin arrestuar./REL