Dogana kapë para, cigare, ar dhe ilaçe

Drejtoria e Doganave informon se janë zbuluar disa tentativa për kontrabandë të mallrave të ndryshme dhe disa tentativa për trafik të shumave të mëdha të parave, përcjell TV21. Mes tjerash, tek dy shtetas grekë, të cilët u paraqitën për dalje nga vendi në pikën kufitare “Tabanoc”, u gjetën 13.900 euro të pa deklaruara, tre monedha ari dhe një pllakë ari rreth 90 gramë.

“Gjatë kontrollit personal të personave, tek xhepi i xhaketës së shoferit u gjetën 23.900 euro, ndërsa në portofolin e tij dhe në xhepin e përparëm të pantallonave të tij u gjetën tre monedha ari, secila me peshë rreth 8 gramë, dhe një pllakë ari me peshë rreth 90 gramë. Sipas ligjeve në fuqi, pasagjerit iu kthyen 10.000 euro, shuma që një rezident mund ta nxjerrë lirshëm nga vendi, ndërsa 13.900 euro, monedhat e arit dhe pllakën e arit u sekuestruan përkohësisht”, njofton Drejtoria e Doganave.

 

 

Doganat gjithashtu njoftojnë se gjatë kontrollit të një automjeti, i cili u paraqit për hyrje në vend në pikën kufitare “Qafë Thanë”, tek pasagjeri u gjetën 20.000 euro të pa deklaruara. Sipas Ligjit për veprimtarinë valutore, personit iu kthyen 10.000 euro, ndërsa pjesa tjetër prej 10.000 euro u sekuestrua përkohësisht.

Në dalje nga vendi në pikën kufitare “Bogorodicë”, tek katër pasagjerë u gjetën gjithsej 20.000 euro, secili me nga 5.000 euro, shuma që duhet të deklarohet dhe për të cilën nevojitet certifikatë nga banka ose këmbimore e autorizuar gjatë daljes nga vendi.

 

 

Sipas Ligjit për veprimtarinë valutore, secilit pasagjer iu kthyen nga 2.000 euro, ndërsa pjesa tjetër prej 3.000 euro për secilin, gjithsej 12.000 euro, u sekuestrua përkohësisht.

“Tridhjetë kuti cigare me pulla akcize turke, 279 copë bizhuteri dhe 30 kg stoli u gjetën nga doganierët gjatë kontrollit të një autobusi me targa turke, i paraqitur për hyrje në vend në pikën kufitare “Deve Bair”. Cigaret u gjetën në hapësirën e zbrazët të fabrikuar në pjesën e pushimit të shoferëve, ndërsa bizhuteria u gjet në një qese të vendosur në hapësirën e bagazhit të autobusit. Vlera e produkteve të pa deklaruara arrin 73.780 denarë, ndërsa detyrimet e shmangura janë 75.038 denarë”, thuhet në njoftim.

 

Në çantën e një pasagjeri, shtetas i huaj me vendbanim të regjistruar në Prilep, i paraqitur për hyrje në vend në pikën kufitare “Stenje”, u gjetën 17 shishe me lëng për injeksione për kafshë (100 ml dhe 250 ml), të cilat u sekuestruan përkohësisht.

“Në hyrje në pikën kufitare “Tabanoc” u paraqit një pasagjer me ATA karnet, por gjatë kontrollit të bagazhit, midis instrumenteve muzikore të deklaruara, u gjetën katër aplifikatorë, kitare elektrike e përdorur dhe modul i përdorur për bateri elektrike, të cilat nuk ishin përfshirë në ATA karnet dhe nuk u deklaruan”, Drejtoria Doganore.

Në pikën kufitare “Tabanoc”, sipas udhëzimeve nga Njësia për Qendër Doganore në gatishmëri, u krye kontroll i detajuar i automjetit, gjatë të cilit u gjetën 60 litra rakia e bërë në shtëpi.

“Shoferi kishte deklaruar vetëm disa kanaçe të vogla me djathë dhe çanta udhëtimi, ndërsa rakia, e cila ishte në shishe dhe tuba plastike, u zbulua në dyert e pasme nën tapiceri, në çati, nën kapak dhe në çanta udhëtimi”, thuhet në njoftim.