Drejtoria e doganave ka bërë të ditur se në pikën kufitare Bogorodicë janë sekuestruar nëntë pistoleta nga të cilat pesë me fuqi të lartë depërtuese. Siç kanë bërë të ditur, një shtetas i Maqedonisë është privuar nga liria dhe ndodhet në paraburgim
“Është parandaluar tentativë për krim të rëndë ndërkombëtar, gjatë së cilës janë sekuestruar nëntë pistoleta, nga të cilat pesë me fuqi të lartë depërtuese, ndërsa një person, shtetas i Maqedonisë së Veriut, është privuar nga liria dhe ndodhet në paraburgim.
Rasti është zbuluar të martën në mbrëmje nga nëpunësit doganorë në pikën kufitare Bogorodicë, në dalje nga shteti, gjatë një kontrolli të detajuar të një automjeti me targa maqedonase, të drejtuar nga shtetas i Maqedonisë së Veriut, ku në tavanin e automjetit, midis llamarinës dhe tapicerisë, janë gjetur pistoleta të markës “Crvena Zastava”.
Rasti i është dorëzuar Departamentit të Hetimeve pranë Sektorit për Kontroll dhe Hetime, i cili e ka privuar nga liria personin, dhe pas ndërmarrjes së veprimeve parahetimore ndaj tij, është paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike të Gjevgjelisë për veprën penale “mbajtje, ndërmjetësim dhe tregtim i paautorizuar i armëve dhe lëndëve shpërthyese”, e dënueshme sipas Kodit Penal. Me urdhër të prokurorit publik, personi ndodhet në paraburgim, ndërsa hetimi vazhdon”, thuhet në njoftimin e drejtorisë së doganave.



