“Do të shkojmë në fund”, Kusari-Lila: Ekziston përgjimi i bisedës mes Radoiçiqit dhe Vuçiqit, me plan për sulm në Kosovë

Deputetja e VV-së, Mimoza Kusari Lila, është shprehur se ka dalë një video-incizim i një diskutimi mes Milan Radoiçiqit dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç, ku flitej se ata janë të gatshëm t’i shkojnë në fund çështjes së Kosovës, edhe me mundësinë e një sulmi tjetër si ai i Banjskës.

Kusari tha se Serbia ka vendosur 48 baza ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Ajo tha se një sulm tjetër serb në Kosovë është i mundshëm dhe shtoi se vazhdimisht po dalin fakte për synimet destabilizuese të Serbisë.

“Ka edhe një video-incizim që tregon kriminelin në arrati Milan Radoiçiq, i cili në prani të Vuçiqit dhe zyrtarëve të tjerë të Listës Serbe, deklaron se ata janë të gatshëm dhe të përgatitur të shkojnë deri në fund, me riaktivizim të një sulmi të njëjtë si ai i 24 shtatorit, duke mos kursyer as jetët e tyre”.

“Kur në vazhdimësi dalin fakte për synimet e Serbisë për destabilizim, tregon se situata mes Kosovës dhe Serbisë mund të ketë edhe ndonjë episod të ngjashëm si ai i 24 shtatorit. Ka 48 baza ushtarake të Serbisë të vendosura në kufirin me Kosovën”, tha Kusari për Euronews.al.