Disa liderëve në Ballkanin Perëndimor u shkruhet keq!

Mersel Bilalli
Robert Kagan, një udhëheqës ideologjik i neokonservatorëve amerikanë, po rikthehet fuqishëm në ideologjinë e Shteteve të Bashkuara. Ndërsa afrohen zgjedhjet presidenciale në SHBA, paraqitjet dhe intervistat e tij publike po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Ai mire e e di se projektet e mëdha nuk bëhen me shpirtra të vegjël. “Trump është një zgjedhje tejet fatkeqe në një kohë të keqe dhe si i tillë është favor për ndonjë luftë të tretë botërore,” shkroi ai në një artikull për “Foreign Policy”. Sipas tij, Donald Trump është “një demagog dhe sharlatan i pashoq në historinë e politikës amerikane”, sepse ai shkatërroi plotësisht rolin e Amerikës në botë, kurse pa udhëheqjen amerikane, rendi botëror realisht rrezikohet nga një luftë e re botërore. Bota tashmë është përplot me njerëz të zbrazët.
Dihet se Shtetet e Bashkuara kanë luajtur një rol kryesor në krijimin e demokracive evropiane, por tani disa vite ata kanë bërë të kundërtën. Kah fundi i Luftës së Ftohtë, opinioni amerikan po pyeste gjithnjë e më shumë – pse duhet të mbajmë barrën e gjithë botës? Pse duhet të kemi trupa në Evropë? Pse evropianët nuk kujdesen vet për veten e tyre? Por, pas luftës në Irak dhe krizës financiare të vitit 2008, sikur ndodhi një kthesë. Barak Obama, e veçanërisht Donald Tramp, janë dy presidentët që menduan se misioni i tyre ishte të tërhiqnin Amerikën nga ky rol. “Sigurisht që Tramp është versioni më ekstrem i kësaj të keqe,” thot Kagan. Tramp ka shtyrë Shtetet e Bashkuara në izolim, duke kërcënuar jo vetëm interesat amerikane, por edhe mbarë rendin botëror të bazuar në mbrojtjen amerikane të demokracisë liberale.
Robert Kagan është themelues i famshëm “PNAC – The Project for the New American Century” (Projekti për Shekullin e Ri Amerikan), i cili hodhi bazën ideologjike për ndërhyrjet ushtarake të SHBA-së nëpër botë, duke filluar nga invazioni ndaj Irakut në vitin 2003 e këndej. Me saktësi të përsosur, ai ka vizatuar konturet e politikës së jashtme amerikane, e cila do të ishte shumë më efektive dhe funksionale nëse Tramp do i humbaste zgjedhjet. Kohëve të fundit, sikur ekipi i Trampit ka kuptuar gabimin fatal. Viktima e parë e një kthellje të tillë është “Tubacioni Verior 2”, i cili pritej të transporton gazin rus për në BE dhe i cili pothuajse është përfunduar (duke kushtua shumë miliarda), por që nuk ka gjasa të funksionoj sepse amerikanët (dhe disa vende evropiane) fuqishën kanë tërhequr frenin. Pozicioni i tyre është që BE duhet të jetë më pak e varur nga energjia ruse dhe njëherit ne nuk duhet margjinalizuar Ukrainën, sepse kjo do të ishtë një kërcënim për sigurinë kombëtare.
Brenda kornizës së këtij kthjellimi ndodhi edhe marrëveshja për normalizimin ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës. Sidoqoftë, Tramp dhe administrata e tij tani e kanë kuptuar se në disa pjesë të botës domosdo duhet të funksionojë “shteti i thellë”. Për Ballkanin Perëndimor, ku njerëzit kanë frikë të jenë normalë, amerikanët shpikën “Mini-Shengenin” me qëllim që të largonin rusët dhe kinezët nga rajoni. Andaj, tani më amerikanë këtu promovojnë investime të fuqishme. Tani Shqipëria dhe Mali i Zi janë aleatë strategjikë shumë të rëndësishëm, me ndihmën e të cilave Shtetet e Bashkuara do të kontrollojnë portën e Otrantos, e cila gjë do të parandalojë ndikimin rus në Evropën Juglindore. Veçanërisht pas pranimit të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë Veriore në NATO, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur kontroll të plotë mbi Detin Adriatik, që parandalon përfundimisht pretendimet ruse në Ballkanin Perëndimor. Duke kontrolluar Portën e Otrantos, Shtetet e Bashkuara gjithashtu do të bllokojnë Rrugën Detare Kineze të Mëndafshit – MRS (Maritime Silk Roud), e cila shtrihet përtej Oqeanit Paqësor dhe atij Indian, përmes Gjirit Persik, Detit të Kuq, Kanalit të Suezit, Detit Mesdhe dhe drejtë Adriatiku në portet e Rijekës, Koperit dhe Triestes – qytete që do të ishin qendra për tregtinë e mëtejshme kineze në brendësi të Evropës.
Dorën në zemër, Tramp nuk ka në mendje njohuri për këto gjëra. Madje ka qenë vështirë t’I jepen çfardo këshilla të kësaj natyra, gjer në momentin kur kuptoi se do i humbas zgjedhjet. Ai thjesht dinte vetëm të kultivon urrejtje të zhveshur ndaj atyre që pengojnë rizgjedhjen e tij apo dashuri të verbër për ata që e përkrahin. Por kjo nuk është aq me rëndësi. Me rëndësi është që amerikanët filluan të veprojnë ashtu siç duhet. Ata tani po punojnë për krijimin e një rrjeti transporti të Ballkanit Perëndimor, i cili parashikon modernizimin e infrastrukturës rajonale dhe hapjen e kufijve rajonal, veçanërisht për vendet kandidate për në BE, të njohur si – TINA (Transport Infrastructure Needs Assessement), një rrjet transporti që përfshin korridore të rëndësishëm në kuadër të rrjetit trans-evropian – TEN (Тrans-European Networks). Fakt është që Serbia dukshëm humbi rolin e saj gjeopolitik me lojën e vet të dyfishtë. Për më tepër me rastin e ndërtimit të Korridorit IV (Budapest, Arad, Kraiova, Sofje, Selanik). Por tani, në koordinim me Shtetet e Bashkuara, ajo është përqendruar në alternativat e korridoreve të reja kah Kosova dhe Shqipëria dhe në forcimin e Korridorit X. Shtetet e Bashkuara kanë në plan të investojnë në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore në Korridorin X (Salzburg – Lubjanë – Zagreb – Beograd – Nish – Shkup – Selanik), ku Kina synonte të zbatonte projektin e saj “Rripa dhe Rrugë”. Me investime të tilla, Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të lidhin Adriatikun dhe Detin Jon me Detin e Zi, që do të përforconte praninë e forcave të NATO-s në gjithë rajonin, dhe kështu do të fuqizonte dominimin gjeopolitik mbi te, duke detyruar Kinën dhe Rusinë që t’i paketojnë valixhet e veta nga ky rajon.
Frika në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnjë janë të pabaza
Në realitet, fotot duke nënshkruar Marrëveshjen midis Serbisë dhe Kosovës më 4 shtator janë vetëm një kalkulim i thjeshtë zgjedhore për Tramp, por në thellësi ka një kthim real në politikën e jashtme të SHBA. Personalisht, Tramp ndoshta as që dinte se çfarë po nënshkruan kur foli për “ndalimin e vrasjeve masive” midis serbëve dhe kosovarëve! Kjo është e njëjtë si të kishe thënë në vitin 1965 se më në fund kishin ndaluar vrasjet masive midis gjermanëve dhe aleatëve! Por kjo nuk ka aspak rëndësi. Me rëndësi është që Tramp të bëjë atë që është e nevojshme ta bëjë qoftë edhe pa njohuri, dije e vullnet. Në botën kaotike (dhe Ballkanin), duhet të vendoset një lloj rendi botëror. Përndryshe, në shumë pjesë të botës, veçanërisht në Ballkan si një magnet për marrëzira, rendi i mafies do të vazhdoi të forcohet, pas së cilës do të pasoi destabilizimi.
Shtetet e Bashkuara kanë filluar tashmë transferimin e parave për korridoret e transportit midis Serbisë, Kosovës dhe Shqipërisë dhe janë duke u përqëndruar seriozisht në korridoret e tjera të Ballkanit Perëndimor. Por, njëherit ata po kërkojnë formimin e një unioni rajonal tregtar dhe doganor. Kjo sikur nuk u pëlqen shumë shqiptarëve, boshnjakëve e malazezëve në rajon, por kjo ndoshta për shkak të mosnjohjes së duhur të gjërave. Gjegjësisht, shtetet rajonale nuk mund përjetë të jetojnë në armiqësi, kurse në të njëjtën kohë thirren në vlerat evropiane, sepse vetë Evropa shpejt i amortizoi ato armiqësi dhe filloi me integrimet e ndërsjella. Vetëm në këtë mënyrë, këtu mund të krijohet një treg efikas prej rreth 20 milion njerëz, i cili do të hapë mundësi të reja zhvillimi për të gjithë rajonin. Emigrimi, i cili kërcënon shpopullzimin total të rajonit, posaçërisht të Shqiptarëve, do të ulej ndjeshëm. Konstatimet se kjo është një Jugosllavi e re, me vjet drite janë larg së vërtetës. Për një gjë të tillë duhet të formohen organe e institucione federale, kushtetutë, ushtri, administratë etj. Ky është vetëm një treg i përbashkët që do të ndihmojë shumë ekonomitë rajonale të vendeve, të cilat së bashku do të arrijnë më lehtë në BE. Sigurisht, se Serbia është më e fortë për momentin, por vendet e tjera së shpejti do të rritin ritmin. Madje ekzistojnë edhe mekanizma balansimi (sikur EFTA). Pa dilemë se Kosova dhe Shqipëria do të përfitojnë shumë nga tranziti dhe përdorimi i porteve. Natyrisht se ato do të bëhen të rëndësishme në aspektin gjeopolitik pikërisht për shkak të korridoreve dhe porteve, nga të cilat dukshëm do të mvarej Serbia. E gjithë bota normale lufton për këso pozicionesh kurse ne i shqelmojmë. Njëherit në rrethana të tilla, shumë më lehtë mund të zgjidhen të gjitha problemet midis Kosovës dhe Serbisë. Kosova ka rezerva të mëdha të linjitit (Pellgu i Dukagjinit – Drenica rreth 12 miliardë tonë), por edhe plumb, zink, argjend, nikel, mangan, molibden dhe bor me vlerë prej një trilion dollarë. Kompleksi më i madh i minierave Trepça (vlerësohet në 500 miliardë euro në resurse), është marrë nga një konsorcium i përbashkët SHBA-Francez në koncesion 99-vjeçar. Gjegjësisht, korporatat e mëdha botërore si “Envidity Energy Inc.” tashmë janë përfshirë në betejën për shfrytëzimin e resurseve të Kosovës. Këtu ekziston edhe korporata ndërkombëtare “Lydian” e cila përqendrohet në kërkim të arit në Rahovec.
Por duhet të dihet se në projeksionin e Kagan-it të epokës post-Tramp, nuk do të ketë vend për regjime të korruptuara dhe udhëheqës partie të korruptuar. Ata do të digjen, jo vetëm sepse një gjë e tillë është në kundërshtim me vlerat themelore të sistemit juridik amerikan, por më shumë nga ajo se tolerimi i liderëve të tillë krijon urrejtje ndaj Shteteve të Bashkuara nga ana e popullsisë lokale, e cila gjë dëmton lidhjen natyrore afatgjatë në mes shteteve. Këtu nuk do të ketë vend për ata që për vite e blenë lumturinë e tyre me paratë e fituara nga shitja e shpirtit të tyre.