DnV bën thirrje për hetime rreth dyshimeve për falsifikim të votave në Kosovë

Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV) i ka bërë thirrje të dielën Prokurorit të Shtetit që të nisë menjëherë hetimet rreth dyshimeve për falsifikim të votave brenda Qendrës për Numërimit dhe Rezultateve (QNR) për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Reagimi i DnV-së vjen pas publikimit të disa materialeve nga një media lokale në Kosovë, në të cilën – sipas këtij koalicioni – tre persona dyshohet se diskutojnë lidhur me falsifikimin e votave të kandidatëve subjekteve politike në QNR.

Radio Evropa e Lirë nuk e ka konfirmuar vërtetësinë e këtyre materialeve.

“Audio dhe video incizimi tregon se si numëruesi i votave jep çmimin për ndryshimin e votave brenda kandidatëve të listës së një subjekti politik. I dyshuari po ashtu tregon se sa para kishte marrë ai dhe dy persona të tjerë brenda QNR-së për të ndryshuar votat e një kandidateje për deputete të Kuvendit të Kosovës, që ajo të bëhej pjesë e legjislaturës së VIII”, është thënë në reagimin e këtij koalicioni në rrjetin social Facebook.

Demokracia në Veprim u ka bërë thirrje edhe deputetëve, që mund te kenë dyshime për falsifikim të rezultatit, që përveç ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, të bashkëpunojnë dhe me organet shtetërore të drejtësisë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur më 4 mars rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka shënuar fitore bindëse, duke siguruar 58 ulëse në legjislaturën e re.

Sipas rezultatit përfundimtar, Partia Demokratike e Kosovës do të ketë 19 ulëse në kuvend, Lidhja Demokratike e Kosovës, 15 dhe Aleanca për Ardhmërin e Kosovës do të ketë tetë deputetë.

Në afatin 24-orësh për ankesa, pas shpalljes së rezultatit përfundimtar, në PZAP janë dërguar 208 ankesa.