Djokovic kundër vaksinimit, mund t’i pamundësohet kthimi në tenis

Tenisti i famshëm serb, Novak Djokovic, ka thënë se qëndrimi i tij kundër vaksinimit mund t’i pamundësojë atij kthimin në tenis.

Edhe garat e tenisit, si të gjitha aktivitetet e tjera sportive, janë pezulluar shkaku i koronavirusit, përderisa zyrtarë të Federatave kanë bërë të ditur se kthimi i garave nuk mund të pritet derisa të gjendet një vaksinë për ta luftuar virusin Covid-19, transmeton Gazeta Express.

Kur të zbulohet një vaksinë e tillë, atëherë është propozuar që të gjithë tenistët të testohen dhe të vaksinohen para se t’u kthehen garave. Një gjë e tillë do të ishte e pamundur për Djokovicin, i cili është ndër personat që kundërshtojnë vaksinimin.

“Personalisht unë jam kundër vaksinimit dhe nuk do të doja të detyrohesha nga dikush që të merrja vaksinë për të pasur mundësi të udhëtoj. Por, nëse bëhet e detyrueshme, çfarë do të bëjë? Do të duhet ta marrë një vendim”, ka thënë tenisti numër një në ranglistën botërore.

“Unë i kam qëndrimet e mia për këtë temë dhe nuk e di nëse do të ndryshoj mendim për këtë gjë ndonjë ditë”.

“Hipotetikisht, nëse sezoni rinis në korrik, gusht apo shtator – edhe pse ka pak gjasa të ndodhë kjo gjë – unë e kuptoj që do të bëhet e detyrueshme të vaksinohesh pasi të dalim nga karantina”.

Wimbledoni i këtij viti është anuluar për herë të parë që nga Lufta e Dytë botërore, përderisa French Open, që ishte planifikuar fillimisht të fillojë më 24 maj, është shtyrë për në fund të shtatorit, menjëherë pas US Open.

Djokovici e kishte nisur mirë sezonin 2020, duke e fituar Australian Open në janar, para se organet qeverisëse të tenisit t’i pezullonin të gjitha garat deri më 13 korrik.