Dizel nga sonte shtrenjtohet, një pjesë e benzinave me çmim më të vogël

Dizeli nga mesnata e kësaj nate shtrenjtohet për 2,5 denarë, çmimi i benzinës 95 oktan BS-95 ulet për gjysmë denari, ndërsa çmimi i benzinës 98 oktan BS-98 mbetet i njëjtë.

Llogaritjet e Komisionit Rregullator nuk u përputhën me ato të Qeverisë, e cila priste që benzinat të liroheshin, ndërsa çmimi i dizelit të mbetej i njëjtë.

Kështu, nga mesnata dizeli do të shitet për 95 denarë për litër, i llogaritur me zbritjen e OKTA-s, në vend të 92,5 denarë. Çmimi i EUROSUPER BS-95 do të jetë 81,5 denarë në vend të 82, ndërsa EUROSUPER BS-98 do të shitet për 83,5 denarë për litër, njësoj si tani. Kjo është matematika kur përllogariten të gjitha masat dhe zbritjet në efektin përfundimtar të çmimeve.

Çmimi i karburanteve nga mesnata me masat dhe zbritjet e përllogaritura
Benzinë motorike EUROSUPER BS-95 – 81,50 (denarë/litër)
Benzinë motorike EUROSUPER BS-98 – 82,00 (denarë/litër)
Naftë dizel EURODIZEL BS (D-E V) – 95,00 (denarë/litër)

Ndryshe, Komisioni Rregullator me vendimin e sotëm përcaktoi çmimet maksimale të karburanteve, të cilat janë më të larta mesatarisht për 1,41%. Çmimi maksimal për dizelin është 98 denarë, për BS-95 është 83,5 denarë, ndërsa për BS-98 është 85,5 denarë. Por në këto çmime nuk është përfshirë zbritja shtesë nga OKTA për tregtarët.

Nga data 07.04.2026 nga ora 00:01 çmimet maksimale me pakicë do të jenë:
Benzinë motorike EUROSUPER BS-95 – 83,50 (denarë/litër)
Benzinë motorike EUROSUPER BS-98 – 85,50 (denarë/litër)
Naftë dizel EURODIZEL BS (D-E V) – 98,00 (denarë/litër)
Vaj për djegie Ekstra i lehtë 1 (EL-1) – 95,50 (denarë/litër)
Mazut M-1 NS – 51,311 (denarë/kilogram)

OKTA njoftoi se zbritja do të vazhdojë të vlejë deri në fund të këtij muaji, ndërsa Komisioni Rregullator u rekomandoi tregtarëve që ta përfshijnë atë në çmimet në pikat e karburantit.

“KRRE u bëri thirrje kompanive të naftës të vazhdojnë praktikën aktuale dhe të përfshijnë zbritjen e siguruar nga Qeveria me furnizuesin kryesor OKTA, duke ulur çmimet me pakicë për 3 denarë për litër për dizelin dhe 2 denarë për benzinat, në mënyrë që qytetarët ta ndjejnë drejtpërdrejt përfitimin”, thonë nga Komisioni Rregullator për Energjetikë.

Kryeministri, nga ana tjetër, deklaroi se me uljen e TVSH-së, akcizave dhe me zbritjen nga OKTA, çmimet e benzinave do të ulen, ndërsa ato të dizelit do të mbeten të njëjta.

“Kur të gjitha këto të vihen në funksion, atëherë për benzinat duhet të kemi çmime më të ulëta se tani, ndërsa për dizelin nuk duhet të kemi rritje në disa pika të karburantit, pavarësisht situatës serioze dhe sfiduese në vend”, deklaroi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Mickoski tha se humbjet ditore në buxhet arrijnë të paktën një milion euro në ditë për shkak të masave për uljen e TVSH-së dhe akcizave. Ai shtoi se nëse situata përkeqësohet, po shqyrtohen masa shtesë si ulja e mëtejshme e TVSH-së dhe ngrirja e çmimeve dhe marzhave të ushqimeve për të parandaluar një goditje të inflacionit.
Nga Komisioni Rregullator njoftuan se nëse Qeveria nuk do të kishte vazhduar masën për uljen e TVSH-së dhe ndërhyrjen në akcizë, çmimet nga mesnata do të ishin më të larta për 8,5 denarë për benzinat dhe 12 denarë për dizelin për litër.

Çmimet maksimale do të ishin:
Benzinë motorike EUROSUPER BS-95 – 92,00 (denarë/litër)
Benzinë motorike EUROSUPER BS-98 – 94,00 (denarë/litër)
Naftë dizel EURODIZEL BS (D-E V) – 110,00 (denarë/litër)
Vaj për djegie Ekstra i lehtë 1 (EL-1) – 107,00 (denarë/litër)

Ndryshe, që nga fillimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, çmimi i dizelit në vend është rritur për rreth 24 denarë, nga 71 në 95 denarë për litër. Ekspertët, bizneset dhe bujqit kanë paralajmëruar se nevojiten masa shtesë për të mbrojtur qytetarët dhe për të parandaluar që kriza e naftës të reflektohet në çmimet e ushqimeve. Kryeministri theksoi se inflacioni do të rritet dhe pritet të arrijë nga 4 deri në 5 për qind.