Ditë e përgjakshme në Afganistan

Nëntë anëtarë të forcave afgane të sigurisë, përfshirë personel të forcave speciale, humbën jetën pas rrëzimit të helikopterit të tyre, bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes e Afganistanit.

Incidenti ndodhi në provincën Maidan Vardak, në pjesën qendrore të Afganistanit.

Ministria e Mbrojtjes tha se është duke bërë hetime.

Një burim i forcave ajrore dhe një zyrtar lokal thanë për agjencinë e lajmeve Reuters se helikopteri u godit nga një raketë gjatë ngritjes.

Në një tjetër zhvillim në Afganistan, tre persona u vranë dhe 11 u plagosën, kur një bombë e vendosur në anë të rrugës në Kabul, goditi një automjet që besohet se transportonte punonjës të Qeverisë afgane.

Zëdhënësi i policisë, Ferdows Faramarz, u tha gazetarëve se shpërthimi ndodhi rreth orës 7:00 të mëngjesit.

Përgjegjësinë për sulmin nuk e ka marrë ende asnjë grup.

Ai ndodh në ditën kur delegacionet që përfaqësojnë Qeverinë afgane, talibanët dhe vendet kryesore, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë, mblidhen në Moskë, në përpjekje për të ringjallur procesin e paqes në Afganistan dhe për të gjetur mënyra për të zvogëluar dhunën në këtë vend.

Qeveria afgane ka fajësuar talibanët për intensifikimin e sulmeve kundër punonjësve qeveritarë, udhëheqësve të shoqërisë civile dhe gazetarëve.

Talibanët kanë mohuar se janë të përfshirë në sulme.