“Dita më e nxehtë në shumë vite”, ministri Balla bën thirrje për kujdes të shtuar

Ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Taulant Balla u ka bërë thirrje qytetarëve, në veçanti fëmijëve dhe të moshuarve që të shmangin lëvizjet gjatë orëve të mesditës për shkak të temperaturave të larta.

Balla përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka falënderuar edhe Policinë e Shtetit për kujdesin që kanë treguar në këto ditë të nxehta duke ofruar shishe me ujë.

“Mirëmëngjesi, sot është dita më e nxehtë e kësaj vere deri më tani, ndoshta edhe dita më e nxehtë e shumë viteve. Lutem fëmijët dhe të moshuarit të shmangin lëvizjet gjatë orëve të mesditës. Mirënjohje Policisë së Shtetit për kujdesin që kanë treguar këto ditë duke ofruar shishe uji të ftohtë qytetarëve dhe turistëve në aeroport apo në zona të tjera”, ka shkruar Balla.