Me rastin e Ditës së Pranverës, e njohur edhe si Dita Ekologjike, kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi, gjatë ditës së sotme ka vizituar të gjitha shkollat e komunës dhe së bashku me nxënësit kanë realizuar aksion ekologjik, shkruan Tema.mk. Gjithashtu, me përfaqësues të CED-it kanë realizuar edhe mbjelljen e disa fidanëve.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të ndërgjegjësimit për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe kultivimin e shprehive ekologjike te nxënësit dhe të rinjtë. Gjatë vizitave nëpër shkolla, u theksua rëndësia e gjelbërimit të hapësirave shkollore dhe përkushtimi institucional për një mjedis më të pastër dhe më të shëndetshëm.
Përmes këtij aksioni simbolik, Komuna e Tearcës dha mesazhin se kujdesi për natyrën duhet të jetë përgjegjësi e përbashkët, ndërsa mbjellja e fidanëve paraqet një hap konkret drejt një ambienti më të gjelbër për brezat e ardhshëm.
“Dita ekologjike, vizitë nëpër shkolla!Në kuadër të Ditës Ekologjike, realizuam vizitë në disa nga shkollat e komunës, ku së bashku me nxënësit dhe stafin arsimor zhvilluam aktivitete për pastrimin e ambientit dhe ndërgjegjësimin për ruajtjen e natyrës. Edukimi për një mjedis të pastër fillon nga shkolla, prandaj mbetet prioritet i yni që të mbështesim çdo iniciativë që ndihmon në krijimin e një ambienti më të shëndetshëm për fëmijët tanë. Gjithashtu, në këtë ditë me shoqatën, Edukim dhe Zhvillim (CED), në bashkëpunim me Komunën e Tearcës dhe vullnetarët e Peace Corps, realizuam aktivitetin ekologjik “Mjedis i Pastër, e Ardhme e Shëndetshme.”, ka shkruar Memishi./Tema.mk/










